Vrasësi braktisi ilaçet e depresionit
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Autori i krimit në familjen Korreshi në Lushnjë, i cili ekzekutoi të shoqen e më pas veten, kishte shmangur mjekimin kundër depresionit që i dhanë mjekët. Këtë fakt e pohuan familjarët e Bajram Korreshit, të pyetur nga policia, me qëllim zbardhjen e rrethanave të vrasjes së dyfishtë, ndodhur mbrëmjen e së mërkurës. Më tepër se të gjithë e ka përjetuar humbjen e prindërve vajza e madhe e çiftit, 14-vjeçarja A.K, e cila bashkë me dy fëmijët e tjerë përcolli dje për në banesën e fundit nënë e babë. E rritur aq sa të arrinte të kuptonte gjithë zhvillimet e vrullshme që pushtuan familjen, deri në ekzekutim, vajza ka treguar me dhimbje atë që pa. Policia lokale ka mbërritur ditën e djeshme, qysh herët në banesën e çiftit, duke kërkuar të dhëna të tjera nga familjarët. Vajza e madhe ka treguar për policinë se babai i saj, tashëm i papërgjegjshëm për shkak të një sëmundjeje nervore, kishte ardhur në shtëpi i lodhur. Ai vinte shpesh i lodhur kohet e fundit, sipas vajzës. E ka pasur paksa të vështirë që ta pranojë këtë skenë tronditëse A.K, ndërsa është shprehur se të dy, burrë dhe grua kishin debatuar. Adelina e kishte pyetur për disa lekë që i shoqi i kishte marrë në mëngjes për të psonisur. Në drekë ai nuk ishte kthyer në shtëpi dhe në mbrëmje nuk i kishte dhe kësisoj nuk kishte blerë asgjë për familjen. Sipas deponimeve të vajzës kishte qenë një shumë sa për të blerë ushqimet e përditshme. Kjo, sipas fëmijës, dëshmia e së cilës është marrë nga grupi hetimor, nuk ka qenë aq alarmante sa ishte bërë nga të dy bashkëshortët, të cilët mendohet që në fillim nuk kanë menduar se gjerat do të përfundonin keq. I acaruar dhe i rënduar duke thënë se e shoqja i kërkonte llogari kot duke ia nxirë jetën, Bajrami ka bërtitur fort, aq sa askush nuk ka mundur t'i dëgjoja saktësisht. Më pas është dëgjuar një e shtënë arme dhe të gjithë familjarët janë tronditur. Fillimisht e vdekur ka mbetur gruaja, e pas pak sekondash dhe kryefamiljari. Familjarët kanë treguar se i ati bërtiste shpesh kohët e fundit, por sapo i kalonte kriza nervore ai qetësohej dhe sillej shumë normal. Kjo ka qenë ajo çka ka arritur të tregoj vajza për blutë dhe për të afërmit. Ndërkohë të afërm të tjerë thanë dje, se kishte rreth tre muaj që Bajrami kishte shfaqur shenja depresioni. Pas një vizite që ai kishte bërë, mjekët neurolog i kishin dhënë mjekime duke i thënë se duhet të tregonte kujdes. Ata i kishin dhënë dhe mjekime të herëpashershme, të cilat Bajrami nuk i përdori kurrë duke shprehur mungesën e besimit tek bluzat e bardha. Madje ai deklaronte se ishte shumë mirë dhe nuk kishte asnjë problem. Acarohej sa herë që në familje i kërkohej të shpenzonte apo sa herë që familja gjendej pa të ardhura. Gjendja ekonomike e dobët kishte bërë që Bajrami të prekej shpesh nga situatat depresive. Ai punonte me ditë për të siguruar pak të ardhura për familjen, ndërsa e shoqja ishte e papunë.