Ikën autori, gruaja vdes në aksident
TIRANE - Një grua 50-vjeçare ka mbetur e vdekur në vend, pasi është përplasur nga një makinë që lëvizte me shpejtësi, ndërsa autori është larguar pa i dhënë ndihmën e parë. Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22:30, në rru-gën e Kavajës në Vaqarr. Në momentin e aksidentit këmbësorja Fatime Xhepa, 50 vjeçe, u përplas nga një makinë, e cila u largua me shpejtësi. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që transportuan me urgjencë në Spitalin Ushtarak të plagosurën, por ajo ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore nga specialistët e Hetimit të Aksidenteve dhe po punohet për kapjen e drejtuesit të automjetit që përplasi për vdekje Fatime Xhepën, e cila po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin për të shkuar në shtëpi. Policia nuk ka arritur të mësojë hollësi nga dëshmitarë, për shkak se ngjarja është mësuar disa orë pas aksidentit pasi viktima kishte mbërritur në spital. Në këtë kohë autori i ngjarjes ishte larguar në drejtim të panjohur. Policia ende nuk ka të dhëna për targat apo për përdoruesin e makinës që goditi 50-vjeçaren. Megjithatë në zonën ku ndodhi aksidenti disa efektiva të policisë po mbajnë kontakt me banorët për të verifikuar nëse ndonjëri prej tyre ka parë aksidentin apo ka mundur të fiksojë të dhëna identifikuese për automjetin që shkaktoi ngjarjen. e.d