E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Wembley” pret finalen më të shtrenjtë në histori

Finalja e Ligës së Kampioneve në këtë sezon, e cila do të zhvillohet në “Wembley” të Londrës, do të jetë më e kushtueshmja në histori, pasi tifozët neutralë duhet të paguajnë biletën më të lirë për 150 stërlina ose 242 dollarë. UEFA, e cila për herë të parë ka vendosur që finalja të zhvillohet të shtunën në mbrëmje, ka bërë të ditur se pret të përfitojë nga ndeshja më e rëndësishme e futbollit europian për klube shumën rekord prej 14 milionë stërlinash. Dy skuadrat finaliste do të marrin nga 25 mijë bileta për tifozët e tyre, të cilët do të kenë mundësi të blejnë një kategori të tyre për 80 stërlina. Por UEFA nuk ka bërë të ditur se sa vende do të kenë këtë çmim. I ndryshëm është diskutimi për tifozët neutralë, të cilët duhet të paguajnë 300 stërlina për vendet në Kategorinë e Parë, 225 stërlina për Kategorinë e Dytë dhe 150 stërlina për një vend në Kategorinë e Tretë. Drejtori i kompeticioneve të UEFA-s, Xhiorxhio Marketi, e ka justifikuar çmimin e lartë të biletave duke thënë se më parë biletat e finales së Ligës së Kampioneve janë shitur me një çmim shumë të lirë. "Mendojmë se përfitimi do të rritet nga 10 deri në 15 për qind. Mund të jenë shumë para për një ndeshje futbolli, por kjo ndeshje është shumë e veçantë. Kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, është finalja e Ligës së Kampioneve dhe biletat janë përshtatur me tregun e futbollit në Europë”, ka thënë Marketi. Deri tani finalja më e shtrenjtë ka qenë ajo e vitit të shkuar mes Interit dhe Bajernit të Mynihut në “Santiago Bernabeu” të Madridit, ku tifozët neutralë u detyruar të blinin biletat me çmime që varionin nga 300 në 150 euro. UEFA ka bërë të ditur se 61 mijë nga 86 vende që është kapaciteti i “Wembley” do të jenë në dispozicion të tifozëve, nga këto vetëm 11 mijë vende do të jenë për tifozët neutralë. UEFA do të nisë shitjen e biletave më 24 shkurt, ndërsa finalja e këtij sezoni është parashikuar të zhvillohet më 28 maj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›