E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi që ngriti në këmbë shtetin!

Pas arrestimit, u zbulua se shtetasi i arrestuar Viktor Gushi, 37-vjeç, kishte kryer edhe vrasje të tjera, duke përmendur këtu vrasjen e një argjendari më 21 tetor të vitit të shkuar po në Tiranë, autori i të cilit nuk u gjend kurrë nga policia, duke mos pasur asnjë provë.

Megjithatë, u desh të merrej edhe një jetë tjetër që policia të zbulonte krimin. Dy ditë më parë humbi jetën Leonora Kaloçaj, nëna e dy fëmijëve.

Autori i krimit të rëndë Gushi, ka pranuar në polici ngjarjen, duke bërë me dije se ishte autor i një sërë grabitjesh të tjera në Tiranë. Madje, ai ka thënë se e ka kryer vrasjen ndaj bankieres, po disa muaj më parë nuk e kishte lejuar të kryente grabitjen e filialit të bankës. Ngjarja shkaktoi tronditje të gjerë në opinionin publik, i cili tashmë ka rënë peshë pasi vrasësi i dyshuar ka përfunduar në pranga. 

Në aksionin e policisë të ndërmarrë mbrëmjen e shkuar, u angazhuan trupat speciale dhe vetë kreu i policisë së kryeqytetit. “Ishin 48 orë shumë të lodhshme, impenjim maksimal i strukturave të policisë, që nga policët e objekteve deri tek strukturat e larta apo Drejtoria e Përgjithshme. U arrit me sukses. Dyshohet për disa ngjarje të rënda kriminale të tjera është autor i vrasjes në bankë, vrasjes së argjendarit dhe i disa grabitjeve të tjera”, tha drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj.

“Prova e parë paraprake është arma e kryerjes së krimit, u bë ekspertiza balistike dhe dolën të dyja ngjarjet edhe ajo e argjendarit edhe ajo e grabitjes së NBG Bank, si dhe disa krimet të tjera që ai i ka pranuar vetë. Provat janë maska, rrobat e trupit, dorezat e përdoruara etj”, shtoi ai.

Viktor Gushi ishte me origjinë nga Patosi dhe kishte ardhur në Tiranë rreth 5 vite më parë, teksa për disa vite kishte jetuar si emigrant në Greqi. I dyshuari i krimit të rëndë akuzohet edhe për një vrasje tjetër dhe për të paktën 7 grabitje.

Por historia e këtij personi nuk është mbyllur këtu me krime, pasi ai dyshohet se ka kryer edhe një krim tjetër në vitin 1997. Sipas “GSH”-së, shokët e Gushit thonë se 37-vjeçari dyshohet se ka kryer edhe varjen e një djali në fshatin Duka Çoban.  “Se sa e vërtetë është kjo, nuk e dimë shumë saktë, por është folur shumë në ato vite që Viktori e vari, sepse ai u gjet i varur me litar në një degë peme”, rrëfejnë banorët.  Çifti Kozma dhe Sofie Gushi kanë katër djem dhe një vajzë, të gjithë të martuar, përveç Viktorit, i cili është divorcuar vite më parë.

Berisha përgëzon forcat e Policisë së Shtetit

Për arrestimin reagoi edhe kryeministri Sali Berisha, i cili ka përgëzuar forcat e Policisë së Shtetit për aksionin e kryer. “Kryeministri Berisha përgëzon forcat e Policisë së Shtetit për operacionet e shkëlqyera të kryera sot në Tiranë dhe në Vlorë. Në Tiranë ato ndaluan të dyshuarin  e krimit të shëmtuar, vrasjes së arkëtares së një dege banke në sheshin “Shtraus” dhe plagosjen e rëndë të rojës së kësaj banke, ngjarje kjo që tronditi kryeqytetin dhe mbarë vendin. Në Drashovicë të Vlorës, forcat e Policisë së rendit së bashku me oficerë të Policisë Italiane, ndaluan një të superkërkuar, i dyshuar si autor krimesh të rënda në Itali dhe Shqipëri dhe i arratisur vitin e kaluar nga një burg i sigurisë së lartë në Itali. Suksesi i këtyre operacioneve është përgjigja më e vendosur ndaj krimit dhe autorëve të tij”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-03-30 08:38
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›