E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Administrative, “ngërç” për dy çështje kryesore

 Sipas deputetit socialist, Armando Subashi, relator i pr/ligjti, çështjet kishin të bënin me përfshirjen ose jo në gjykim nga gjykatat admistrative të atyre që quhen 'kontrata administrative'.

 "Këto dy momente kishin të bënin me përfshirjen ose jo në gjykim nga gjykatat administrative të atyre që quhen 'kontrata administrative', ku sipas pikëpamjes sonë, ato duhet të jenë pjesë e gjykimit të çështjeve që do të gjykohen nga gjykata administrative, ndërsa sipas konceptit të qeverisë, ato duhet të vazhdojnë të gjykohen nga gjykatat e zakonshme. Sigurisht që kishte argumente nga të dyja palët dhe nuk u gjet gjuha e përbashkët", shpjegoi Subashi.

 Momenti i dytë sipas tij, ishte ai për ngritjen e Kolegjit Administrativ të posaçëm në Gjykatën e Lartë. "Ne jemi të vendosur në këtë pikë pasi kemi jo vetëm argumentat ligjorë e kushtetues, por kemi edhe mbështetjen ose pasqyrojmë në komision të gjitha sugjerimet që kanë dhënë grupet e interesit, siç janë shoqatat e biznesit, ato të gjyqtarëve dhe të avokatëve", tha Subashi.

Deputeti i opozitës shprehet se propozimet e anëtarëve të Partisë Socialiste  në komisionin e Ligjeve përputhen me mendimet e aktorëve të biznesit. "Nuk mendoj se e rëndësishme në këtë proces është të përfunduarit sa më shpejt të këtij projekti, por e rëndësishme është që ne të vazhdojmë të zhvillojmë atë proces që kemi nisur dhe sigurisht e rëndësishme është para së gjithash, cilësia e ligjit. Sepse çfarë rëndësie do të kishte përfundimi një javë më shpejt apo një javë më vonë nëse ligji nuk do të kishte cilësinë e duhur dhe në të nuk të pasqyroheshin të gjitha vërejtjet apo sugjerimet e të gjithë aktorëve dhe faktorëve. Kjo është ajo që na shqetëson më shumë dhe për këtë do të bëjmë kujdesin maksimal deri në fund të miratimit të p/ligjit "Për gjykatën administrative", tha deputeti Subashi./S.Ll/Start/

                                                                                             2012-03-29 16:35
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›