Kapet në Tiranë: Viktor Gushi: Po, unë e vrava arkëtaren

Viktor gushi, i arrestuar dje nga policia (majtas) Leonora Kaloçi, arketarja e vrare
Arrestohet vrasësi i arkëtares së NBG.
I dyshuari nga Patosi prangoset nga 4 agjentë të SHKB te “Don Bosko”, i gjendet edhe arma
Një telefonatë për 10 mijë euro shpërblim zbulon autorin e grabitjeve të dhunshme në kryeqytet. Vrau edhe argjendarin.
Bëri vrasje në 1997 në Patos, u kap për drogë në Greqi, u dënua dy herë në Tiranë.
Ka mbjellë terror për muaj e ditë të tëra në Tiranë me grabitjet e dhunshme “pa autor”, por më në fund dje ka rënë në pranga.
Viktor Gushi, 37 vjeç, nga Patosi, është arrestuar me akuzën e vrasjes të arkëtares së “NBG Bank”, Leonora Kaloçi, 43 vjeçe, plagosjen e rojës Skënder Elmazi, 50 vjeç dhe po ashtu ekzekutimin e argjendarit Rrapo Sinanaj më 21 tetor 2011. Rreth orës 14:00, katër agjentë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë hyrë në garsonierën ku qëndronte i dyshuari, dhe pa i lënë asnjë mundësi reagimi i kanë vënë prangat. Personi i dhunshëm, Viktor Gushi, kishte çuar dorën tek arma kur u vu në pranga. Për të mos i lënë kohë të mendonte alibi, ai u mor në pyetje për disa orë në shtëpinë ku banonte dhe më pas u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. “Dje rreth mesditës, Policia e Tiranës u lajmërua nga SHKB-ja se kishte një informacion për vendndodhjen e autorit të vrasjes së arkëtares së bankës”, thanë burimet nga Policia. Sipas tyre, informacioni i marrë nga një qytetar u ndoq nga SHKB-ja, që ka ndërhyrë me atributet e Policisë Gjyqësore, duke vënë në pranga të dyshuarin që më pas iu dorëzua policisë. Vrasësi i Leonora Kaloçit banonte në fund të rrugës “Don Bosko”, pranë ish-fabrikës “Filanto”, ku u gjet edhe arma e zjarrit, një pistoletë tip “TT”, me të cilën rezulton të jenë vrarë arkëtarja e”NBG Bank” dhe argjendari Rrapo Sinanaj.
AKUZAT

Filiali i bankës ku ndodhi grabitja
“Nuk kisha qëllim vrasjet, doja paratë. Kam vjedhur e grabitur për të shlyer borxhet e shumta që kisha nga bastet sportive, pasi nuk kisha ndonjë punë stabël”. Kështu mësohet se është përpjekur të “shfajësohet” i arrestuari Viktor Gushi, gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit. “Vjedhje me armë me pasojë vdekjen”, e mbetur në tentativë, është akuza që rezulton të jetë konsumuar dy herë brenda pesë muajsh nga i arrestuari Viktor Gushi. Në rastin e parë, kjo vepër penale është kryer nga autori 37-vjeçar, gjatë tentativës së grabitjes së argjendarisë në rrugën “Ferit Xhajko”, në Tiranë, ku u vra pronari Rrapo Sinanaj, 61 vjeç. Ndërsa tri ditë më parë, gjatë tentativës për grabitjen e filialit të “NBG Bank”, që ndodhet në sheshin “Shtraus”, ose në zonën e njohur si “Xhamlliku” në Tiranë, Viktor Gushi qëlloi për vdekje me armë zjarri arkëtaren Leonora Kaloçi, pasi kishte plagosur më parë rojën e sigurisë Skënder Elmzai. Ditën e djeshme, Viktor Gushi po planifikonte një tjetër vjedhje me armë në zonën e “21 Dhjetorit”, për shkak se tri ditë më parë te “NBG” nuk arriti të merrte asnjë shumë parash. Këtë fakt e konfirmoi mbrëmë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë fjalës për median pas arrestimit të 37-vjeçarit të dyshuar. Pas arrestimit, Viktor Gushi ka pranuar vrasjen e arkëtares, plagosjen e rojës privat të bankës dhe po ashtu vrasjen e argjendarit. Ai mësohet se ka deklaruar se ka vjedhur edhe 2 argjendari e 3 banka.
Çaushaj
Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj, konfirmoi se Viktor Gushi është autor i tentativës së grabitjes së filialit të “NBG Bank”, ku si pasojë mbeti e vrarë arkëtarja Leonora Kaloçi, dhe i plagosur roja i sigurisë, Skënder Elmazi. Çaushaj konfirmoi se 37-vjeçari i arrestuar mbrëmjen e djeshme është autor i vrasjes së argjendarit Rrapo Sinanaj, më 21 tetor 2011. “Nga intervista e parë rezulton se ai është autor i disa ngjarjeve të rënda, si vrasja e argjendarit dhe disa të tjerave. Prova e parë është arma e kryerjes së krimit. U bë ekspertiza balistike dhe doli autori i të dyja ngjarjeve. Autori ka pranuar disa krime të tjera”, u shpreh mbrëmë drejtori Çaushaj.
Prapaskena e arrestimit, spiuni për 10 mijë euro
Një qytetar informoi agjentin e SHKB
TIRAME – Mesditën e djeshme, një agjent i SHKB ka marrë një kërkesë për kontakt nga një qytetar. Në këtë kohë Policia e Tiranës ishte duke kontrolluar një banesë tjetër për një person

Momenti i arrestimit të Viktor Gushit nga policia
të dyshuar në lidhje me tentativën e grabitjes te NBG. Agjenti i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm mësohet se është kontaktuar nga një qytetar, i cili ka thënë se dinte vendin ku qëndronte i dyshuari për vrasjen e arkëtares Leonora Kaloçi. Pasi janë vënë në dijeni strukturat e Policisë së Tiranës, është vendosur që një skuadër prej katër agjentësh të SHKB-së të ndiqte informacionin e dhënë. Ndërkohë me qytetarin që dha informacion është rënë dakord për shpërblimin dhjetë mijë euro, të vendosur ditë më parë nga policia, nëse të dhënat e tij çonin në kapjen e autorit të krimit. Pas këtyre konfirmimeve, qytetari ka dhënë adresën e saktë të banesës, ku sipas tij, fshihej autori i dyshuar për dy vrasje në Tiranë. Katër agjentët e SHKB-së kanë ndërhyrë në banesë dhe pasi i kanë vënë prangat në duar të dyshuarit, kanë bllokuar armën e tij, një pistoletë “TT”. Nga verifikimi i identitetit rezultoi se personi ishte pikërisht i dyshuari për vrasjen e Leonora Kaloçit. Në këtë kohë është lajmëruar Policia e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ndërsa ka vijuar në banesë pyetja e të dyshuarit që pranoi krimet e kryera prej tij.
Kush është i arrestuari për dy vrasje në Tiranë.
Viktor Gushi i divorcuari, ishte i fiksuar pas basteve
Bëri vrasje në 1997 në Patos, u kap për drogë në Greqi, u dënua dy herë në Tiranë