E Diel, 1 Nëntor 2026

PD akuzon Edi Ramën për manipulim me shpirtrat e njerëzve

16/03/2009  Kryesocialisti përpiqet të errësojë suksesin e qeverisë

“Ndien çdo orë se alternativa e tij po gropos karrierën e tij politike”

Partia Demokratike kërkon nga opozita e në mënyrë të veçantë nga Partia Socialiste dhe kryetari i saj të respektojnë viktimat e tragjedisë së Gërdecit. Zëdhënësi i Partisë Demokratike Gerti Bogdani, duke komentuar mitingun e opozitës, ka deklaruar ditën e djeshme se ishin vetë banorët e Gërdecit ata që refuzuan manipulimin që u përpoq të bëhej me shpirtrat e njerëzve dhe bashkëqytetarëve të tyre nga Edi Rama. “Partia Demokratike vlerëson qëndrimin e qytetëruar të banorëve të Gërdecit, refuzimin që ata i bënë manipulimit me shpirtrat e njerëzve dhe bashkëqytetarëve të tyre nga Edi Rama, i cili ka zgjedhur këtë ditë për të hapur me një miting mortor, duke dhunuar kodin e të vdekurve, fushatën e tij elektorale”, - ka deklaruar zëdhënësi i PD-së. Bogdani u shpreh se Partia Demokratike e konsideron këtë si përpjekje të radhës në alternativën e Edi Ramës me motot: “Rroftë vdekja, poshtë qeveria!”, “Rroftë e keqja, poshtë Shqipëria!”. Për zëdhënësin demokrat kryesocialisti Rama përmes këtyre lëvizjeve përpiqet në mënyrë donkishoteske të errësojë suksesin historik të qeverisë dhe të mbarë shqiptarëve, anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) në samitin e ardhshëm të saj, që do të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm në Strasburg. “Edi Rama ndien çdo orë dhe çdo ditë se alternativa e tij ‘Rroftë e keqja, poshtë Shqipëria!’ po gropos një herë e përgjithmonë karrierën e tij politike. Njeriu që për një vit rresht nga tmerri dhe sherri nuk shqipëroi dhe një herë të vetme emrin e Delijorgjit, me të cilin ka jo një, por disa sipërmarrje të përbashkëta, njeriu që ka tmerr nga videot dhe fotot e vakancave të zgjatura me Delijorgjin në Europë dhe në botë dhe leje të shumta ndërtimi të ndara me të bashkë me Shalsin e tij, zëdhënësin e 15 %-shit, mund të derdhin vetëm lot krokodili për viktimat e Gërdecit”, - ka thënë Bogdani. Ai u ka shprehur ngushëllimet të prekurve nga shpërthimi tragjik. Duke folur në emër të PD-së, Bogdani tha se partia që përfaqëson ndan me ta pikëllimin dhe dhimbjen dhe i siguron se qeveria shqiptare, ashtu si deri më sot, do të punojë me ta bashkërisht për mbylljen e plagëve nga ky aksident tragjik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›