E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e trefishtë, policia mbledh telefonatat anonime

 Policia e Durrësit është optimiste për zbardhjen e shpejtë të krimit të trefishtë që tronditi qytetin mbrëmjen e së mërkurës. Një sërë telefonatash që kanë ardhur në adresë të numrave të bëra publik prej saj për këtë çështje dhe dëshmitë e të shoqëruarve dhe familjarëve mund të hedhin dritë brenda një kohe të shkurtër për shkaqet dhe për autorët e vrasjes së Luan e Andi Currit dhe Edmond Shemsit. Grupi hetimor mësohet se ka marrë për bazë të gjitha dyshimet apo informacionet e dhëna, duke i krahasuar ato dhe me të dhënat mbi precedentët e viktimave. Deri tani hetuesit po këmbëngulin mbi një krim me shënjestër 44-vjeçarin Curri, nisur dhe nga akuzat që kanë rënduar ndaj tij vitet e fundit si dhe ekzaminimi i vendit të krimit. Dyshohet se autorët mund të kenë vendosur të bëjnë vetëgjyqësi për ngjarje të rënda që kanë pasur për protagonist viktimën ose të afërm të tij. Megjithatë, ata lënë hapur dhe pistën që inxhinieri i ndërtimit, Shemsi të jetë objekt, të paktën derisa të jenë nxjerrë emrat e autorëve. Aktualisht, çështja i ka kaluar Prokurorisë së Durrësit, e cila po punon bashkë me policinë për të mbledhur prova të rëndësishme për ngjarjen. Gjatë ditës së djeshme mësohet se janë marrë në pyetje sërish dëshmitarë dhe të afërm të viktimave si dhe persona që mendohet se kanë dijeni për hetimin. Paralelisht po punohet dhe për shenjat e gishtave që autorët kanë lënë në vendin e ngjarjes. Një provë kyçe është çanta e hedhur para lokalit në pronësi të Currit. Policia pohoi se çanta i ka rënë autorit, pasi ka nxjerrë automatikun me të cilin qëlloi për vdekje 3 vetë. Për hetuesit, çanta është duke u ekzaminuar me imtësi, pasi autorët mund të kenë lënë aty gjurmët e tyre. Hetimi për këtë ngjarje ka nisur me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, pasi bëhet fjalë për më shumë se një të vrarë. Pavarësisht motiveve, vetëm njëri është objekt i krimit, ndërsa dy të tjerët janë të pafajshëm në këtë gjakderdhje. Krimi ndodhi afër mesnatës së të mërkurës, në një lokal bastesh sportive, në lagjen 9 në Durrës. Sipas ekspertëve, i pari që u qëllua ishte 19-vjeçari Andi Curri, më pas xhaxhai i tij 44-vjeçar dhe më pas 40-vjeçari Shemsi. Policia gjeti në vendngjarja plot 25 gëzhoja, një pjesë e madhe e të cilave kishin shënjestruar trupat e viktimave. Paraditen e djeshme u përcoll për në banesën e fundit inxhinieri, i cili mbrëmjen e tragjedisë kishte dalë në lokalin pranë lagjes ku jetonte për të parë ndeshjen e futbollit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›