E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e 8-vjeçarit në Vlorë, arrestohen 2 autorët

Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorëve të dyshuar të vrasjes së fëmijës 8-vjeçar në Vlorë. Sipas policisë janë arrestuar shtetasit Erjon Grabova 33 vjeç dhe Stafan Furxhi 19 vjeç si dhe arma e krimit, një pistoletë tip TT e cila ishte fshehur 3 km larg vendit të ngjarjes.
 

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në familjen e Albert Lugajt, banues në lagjen "24 Maji" të qytetit bregdetar.  Sipas policisë nga hetimet intensive të kryera në lidhje me këtë ngjarje ka rezultuar se dy të arrestuarit, njëri i armatosur me një pistoletë tip TT, dhe tjetri i paarmatosur kanë shkuar në afërsi të shtëpinë së shtetasit Albert Lukaj në lagjen "24 Maji" i cili ishte duke fjetur në ambientet e jashtme të shtëpisë së bashku me fëmijët e tij.

Sapo dy personat e mësipërm kanë hipur në murrin rrethues që ndan banesën e shtetasit Albert Lukaj me fqinjin e tij janë ndier nga ana e këtij të fundit dhe pasi autorët kanë shkëmbyer fjalë me pronarin e banesës shtetasin Albert Lukaj , kanë qëlluar dy herë në drejtim të banesës me armë dhe si pasojë e një predhe rikoshetë është plagosur rëndë në kokë djali 8 vjeçar, i cili ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tirane ku u transportua për një ndihmë më të specializuar.

Nga kryerja e ekspertimeve balistike ka rezultuar se arma e sekuestruar është ajo me të cilën është kryer krimi. Ndërsa gjatë pyetjes së autorëve ata kanë pranuar autorësinë dhe armën e krimit dhe kanë sqaruar se në atë zonë kishin hyrë për të vjedhur sende që ndodheshin në oborret e banesave përreth.

Për të arritur në dokumentimin e plotë të ngjarjes Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka ngritur një grup të posacëm hetimor me specalistët më të mirë në fushën e hetimit të krimeve të rënda ka shoqëruar 56 persona dhe falë kësaj pune intensive të mirëorganizuar u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorëve dhe i armës së krimit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›