E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtori i RISHM: Shpërthimi në minierë nga një shkëndijë

Gjobitet me 500 mijë lekë ACR, dhe me nga 150 mijë lekë inxhinieri dhe drejtori i minierës. Minatorët: Gjobat një farsë

BULQIZË Reparti Inspektim Shpëtim Minierave (RISHM), pas inspektimit të kryer dy ditët e fundit në Minierën e Bulqizës, ka vlerësuar se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e një shkëndije zjarri dhe normave të larta të hidrogjenit në minierë.

Gjobat

Sipas drejtorit të RISHM, Sajmir Zeka, “shpërthimi është provokuar 30-40 metra nga balli i frontit, pasi hidrogjeni nuk shpërthen pa ndonjë shkak të jashtëm. Mund të jetë provokuar nga një shkëndijë, pranë vendit të shpërthimit janë gjetur shenja cigareje dhe çakmak të hedhur në tokë”. Sipas tij, pas kontrollit, i është lënë firmës ACR të kryejë investime në thellësi të minierës, duke ndërruar sistemin e ajrimit. Miniera do të rehabilitohet, ku do të punohet deri në nivelin 23. Kështu RISHM ka gjobitur me 500 mijë lekë të reja firmën koncesionare ACR, ndërsa 150 mijë lekë gjobë inxhinierin dhe drejtorin. RISHM, gjithashtu ka kërkuar nga kompania ACR që të kryejë investime në minierë duke vënë sisteme të reja ajrimi në galeri. "Kjo masë administrative është marrë për neglizhencë të rregullave të sigurimit teknik në minierën e Bulqizës",- thuhet në reagimin e RISHM. Si pasojë e shpërthimit të gazit në minierën e kromit në Bulqizë, të ndodhur ditë më parë në nivelin 16 të minierës, humbi jetën minatori Naim Shyti dhe u plagosën 8 minatorë të tjerë. Vetëm disa orë pas publikimit të konkluzioneve të Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave për vendosjen e disa gjobave dhe përcaktimin e shkakut të përthimit në thellësinë e nëntokës të martën e kaluar, ka ardhur reagimi i fortë i këshillit sindikal të minatorëve, madje sipas sindikalistëve gjobat janë një farsë, ndërsa shkaku i shpërthimit është një sajesë që drejtori i minierës e ka thënë vetëm pak minuta pas shpërthimit që shkaktoi një të vdekur dhe tetë të plagosur rëndë.

Reagimi

Taf Koleci, president i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, tha se ka ndjekur takimin e djeshëm të RISHM-it me prokurorë të çështjes, pronarë të ACR-së si dhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë. Në këtë mbledhje u tha se në thellësinë e minierës janë gjetur cigare dhe çakmakë dhe se shpërthimi është provokuar na ana e tyre. “RISHMI deklaroi se shkak i shpërthimit është ndezja e cigares nga minatorët, por ne themi se shpërthimi ka mundësi të ketë ndodhur nga ndonjë shkëndijë elektrike, pasi të gjitha pajisjet e montuara në galeri janë jashtë çdo standardi. Pajisjet elektrike janë pa termoizolues dhe ka të ngjarë që ndonjë nga pajisjet të ketë bërë lidhje të shkurtër, çka çoi në shpërthimin e ndodhur në minierë. Na vjen shumë keq që dilet në këtë konkluzion, duke hedhur dyshime sërish mbi të vdekurit dhe të plagosurit” - tha Koleci për gazetën “Mapo”. Ai shtoi se ndihej keq se ndoshta edhe prokurorët e çështjes do të ndjekin rrugën e RISHMI-it në përcaktimin e shkaqeve të shpërthimit, pasi e vërteta duhet të zbardhet. Po sipas Kolecit, gjobat e vendosura nga RISHMI për ACR dhe drejtuesit e minierës Bulqizë janë një farsë për të fshehur të vërtetën e shpërthimit tragjik. “As ACR dhe as drejtori Medat Zogu e shefi i ajrimit, Afrim Okshtuni, nuk e kanë problema gjobën e vendosur. Ça janë për ACR-në 500 mijë lekë, apo për Zogun e Okshtunin nga 150 mijë lekë. Ata janë përgjegjës për jetën e njerëzve, ndërkohë jeta e minatorëve konvertohet në gjoba qesharake” - deklaroi Koleci. Ai tha se prokuroria e rrethit Dibër nuk duhet të ndikohet nga vendimet e RISHM-it, por të hetojë deri në fund ngjarjen dhe përgjegjësit të vihen para ligjit, ndryshe të tilla ngjarje të rënda do të vijojnë të përsëriten edhe në të ardhmen.

P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›