E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, shtyhet tri ditë afati i aplikimit

Ecuria jo pozitive e procesit detyron ministrin e Brendshëm të shtyjë edhe tri ditë afatin e aplikimit me karta


TIRANË- Ecuria jo pozitive e procesit të pajisjes me letërnjoftime elektronike të qytetarëve që nuk kanë pasaportë, ka detyruar dje Ministrinë e Brendshme që të shtyjë edhe me tri ditë afatin për aplikime.


Pavarësisht se dështimi në parashikim nuk është pranuar nga drejtuesit e Ministrisë, një përfundim i tillë arrihet nga vetë lëvizja e këtij institucioni, për t'u dhënë edhe disa ditë kohë shtetasve pa pasaportë që të aplikojnë për karta identiteti.


Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme ka arritur dje një marrëveshje mirëkuptimi me kompaninë konçensionare "Aleat", për të vijuar deri në datën 18 qershor procesin e aplikimeve për këtë kategori zgjedhësish.


Nishani


Një fakt i tillë është bërë i ditur dje nga vetë kreu i kësaj Ministrie, Bujar Nishani, në një dalje të posaçme për mediat, i cili njoftoi se dyert e qendrave të aplikimit do të mbeten të hapura deri ditën e enjte në mbrëmje për t'u dhënë, siç u shpreh ai, dhe një mundësi të fundit shtetasve që s'kanë një mjet identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti) që të aplikojnë.


Sipas tij, kompania që po merret me prodhimin dhe shpërndarjen e kartave ka pranuar që edhe jashtë mundësive të saj normale të vazhdojë të presë aplikantët, në mënyrë që t'i prodhojë dokumentet e reja brenda një afati më të shkurtër se zakonisht, në mënyrë që ato të jenë gati ditën e zgjedhjeve.


"Për t'u dhënë edhe një mundësi të fundit të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk e kanë një pasaportë të vlefshme për të udhëtuar për jashtë shtetit, sapo u arrit një marrëveshje me kompaninë ''ALEAT'' për të shtyrë afatin e aplikimit edhe tri ditë të tjera, që do të thotë se ora 22:00 e mbrëmjes së 18 qershorit, do të jetë afati i fundit për aplikim. Kjo, nisur nga koha e mjaftueshme për prodhimin e letërnjoftimit elektronik, dhe kapacitetet prodhuese që ofron kompania ''ALEAT'', - tha Nishani.


Aplikimet


E ndërsa ka bërë të ditur arritjen e një marrëveshjeje të tillë, ministri i Brendshëm nuk ka dhënë ndonjë informacion lidhur me numrin e shtetasve pa pasaportë që pritet të aplikojnë në tri ditët e ardhshme.


I vetmi informacion që ka sjellë dje ai për opinionin e gjerë dhe aktorët politikë të interesuar për këtë proces, është numri total i atyre zgjedhësve që kanë aplikuar, duke arritur në 1 milionë e 362 mijë shtetas.


Por, ai nuk ka bërë të qartë se çfarë pjese zë në këtë numër total, numri i shtetasve pa pasaportë, apo sa prej tyre kanë pasaportë.


Prej më shumë se dy javësh kjo Ministri nuk ka pranuar të japë informacion mbi këtë çështje, duke lënë deri diku në terr opinionin politik në vend, nëse do të krijohet mundësia që të gjithë shtetasit me të drejtë vote do të votojnë më 28 qershor.


----------------------------------------------------------------------------------------------


Rrezohen kërkesat për gjobitje ndaj TV-ve, që u kanë dhënë më shumë kohë dy partive kryesore

Monitorimi i Medias, KQZ
rrezon dy partitë kryesore


TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me balancimin e minutazhit kohor në televizionet dhe radiot publike dhe private.


Pas shumë debatesh dhe ndërprerjesh të mbledhjes, në një diskutim që ka zgjatur plot 5 orë, anëtarët e këtij komisioni nuk kanë gjetur dot gjuhën e përbashkët për të vlerësuar njësoj raportin e Bordit të Monitorimit dhe për rrjedhojë, as pretendimet e partive politike, që bazuar mbi të dhënat e bordit, kishin paraqitur një sërë kërkesash për kompensim të kohëve radio dhe televizive në funksion të fushatës elektorale.


Kështu, KQZ-ja ka rrëzuar, fillimisht, kërkesat e Partisë Socialiste për gjobitjen me të drejtë kompensimi në kohë të televizioneve: "TVSH", "Klan", "Shijak", "NesërTv", "Mediasat" dhe "Radio Tirana".


Ka qenë vota kundër e anëtarëve të shumicës qeverisëse ajo që ka rrëzuar këtë kërkesë të vazhdueshme të socialistëve për të rikuperuar kohën në këto radio dhe televizione.


Duke shpjeguar votën e tij kundër, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka theksuar se, "për të votuar pro një propozimi të tillë, duhet që të kem përpara të llogaritur, të ndarë kohën, që kanë marrë secili prej lajmeve, që kanë të bëjnë me debatin për kartat e identitetit dhe inaugurimet e veprave publike dhe që shumica e bordit ia ka llogaritur qeverisë dhe jo PD-së".


Me po të njëjtin argument anëtarët e djathtë në KQZ kanë rrëzuar edhe kërkesën e PD-së për të gjobitur me kohë në favor të saj televizionet "Top Channel", "Koha Tv", "News 24" dhe "A1". Por, në ndryshim nga propozimi i PS-së, kërkesa e demokratëve ka marrë gjashtë vota kundër, pra të të gjithë anëtarëve të KQZ-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›