E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e Berishës, masa të larta sigurie

Kryeministri Berisha shmang arsyet e mungesës së tij 12-vjeçare në Tropojë


Kryeministri Sali Berisha, i ngazëllyer nga pritja e tropojanëve, në një situatë krejt euforike i "lejoi" Ramës që të vinte në qytetin e tij të lindjes, sa herë që të donte, pavarësisht se ky i fundit kishte shkuar më shpesh se vetë Berisha, që nuk shkelte për 12 vjet.


Kryeministri Berisha shkoi në Tropojë një natë përpara, për të treguar se ajo që kishte ndodhur në vitin 1997, i përkiste së kaluarës. Por, situata e djeshme në Tropojë nuk e vërtetonte këtë fakt.


Forca të shumta policore ishin dislokuar në Tropojë, dy ditë më parë. Turma rrethoi eskortën e Kryeministrit, ndërsa truprojat e kanë pasur tejet të vështire që të fusnin Berishën në hotel.


Truprojat e Kryeministrit, njësitë speciale, forcat e Reneas, agjentët e shërbimit sekret, si dhe njësitë e antiterrorit, ishin të gjithë të pranishëm rreth hotelit, ku qëndroi Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe bashkëpunëtoret e tij më të afërt.


Përveç shoqëruesve të gardës, forcave speciale, Kryeministri Berisha kishte angazhuar edhe të afërm të tij, si dhe familjarë të kandidatit për deputet të Tropojës për ruajtjen dhe sigurinë e tij.


E njëjta situatë është gdhirë edhe në mëngjes. Forca të shumta të policisë dhe gardës bllokuan pothuajse të gjitha hyrjet dhe rrugët e qytetit.

Tarracat e pallateve kontrolloheshin nga garda, ndërsa në rrugë ishin shpërndarë njësitë speciale dhe fugonët e policisë. Vetëm pak minuta para nisjes së mitingut u ndërpre edhe sinjali i telefonisë celulare, për t'u rikthyer pas largimit të Kryeministrit.


Shmangia e incidentit


Përveç forcave të shumta të policisë, Kryeministri Sali Berisha nuk përmendi në fjalën e tij edhe arsyet se pse ai për 12 vjet nuk kishte shkuar në Tropojë. Kryeministri nuk shkeli as në vitin 2005, e as në 2007-ën, por edhe gjatë turit të tij "Shqipëria në NATO".


Kreu i ekzekutivit ka folur gjatë dje për Kosovën, qytetarët e së cilës mbushën sheshin para bashkisë. Ai ka prekur shumë pak ngjarjet e '97-ës dhe i është drejtuar liderit të opozitës, Edi Rama.


Por Berisha nuk tha asgjë para qytetarëve të tij, se përse i kishte munguar Tropojës gjatë këtyre viteve, dhe a ndjente ai përgjegjësi për këtë mungesë. Në vitin 1997, një javë para zhvillimit të zgjedhjeve të 22 qershorit, Sali Berisha shkoi për fushatë elektorale në Bajram Curri, ku do të shpallte kandidatin për deputet, Azem Hajdarin.


Gjatë mitingut të zhvilluar, në sheshin kryesor të qytetit të Bajram Currit, fjala e Berishës, asokohe President i vendit, u shoqërua me incidente. Që prej asaj kohe, Berisha nuk shkeli më në Tropojë, për t'u rikthyer vetëm pas 12 vjetësh, por sërish nën masa të larta sigurie.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›