E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Edmond Dervishit, e dashura: Ju rrëfej momentet e tmerrit

TIRANE - "E gjeta tek shkallët të vrarë... I thashë 'ngrihu të shkojmë në spital...'" Ka qenë një nga momentet më të vështira për Idrinën, e cila prej 7 vitesh jetonte me Edmond Dervishin, i cili u vra me 9 plumba mbrëmjen e së dielës në kryeqytet. 30-vjeçarja ka qenë personi i parë që ka gjetur trupin e 50-vjeçarit të bërë shoshë nga plumbat. Në një rrëfim për "Gazetën Shqiptare", Idrina rrëfen se si e ka përjetuar ajo momentin kur në katin e parë të pallatit gjeti trupin e personit që dashuronte. "I thirra disa herë... Thirra ndihmë, pastaj më kishte rënë të fikët", pohon Idrina. Ajo bashkë me familjarët e tjerë të Edmond Dervishit kërkojnë nga drejtësia shqiptare vetëm zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve. "Drejtësi" është fjala që kërkon babai i 50-vjeçarit dhe po këtë gjë e kërkojnë të gjithë.
Ku ishit ditën që ndodhi vrasja?
Ishim në plazh atë ditë bashkë me Edin. U kthyem pasdite vonë. Shkuam tek shtëpia e prindërve të Edit dhe aty ndenjëm ca. Pastaj, pasi u thamë natën e mirë, u nisëm drejt shtëpisë sonë, që nuk e kemi shumë larg shtëpisë së tyre.
Sa ishte ora kur dolët nga shtëpia?
Ka qenë ora 21:50 minuta. Ishim duke folur për pushimet që do i kalonim në jug të Shqipërisë.
Çfarë ndodhi më pas?
Kur shkuam poshtë pallatit tonë, Edi shkoi të parkonte makinën, ndërsa unë u futa në dyqan për të bërë disa pazare të vogla. Kur dëgjova komshiun e katit të dytë që doli poshtë dhe bërtiti kanë vrarë Edin. Dola dhe e pyeta se çfarë po ndodhte, vrapova me shpejtësi tek pallati dhe tek sheshpushimi i katit të parë gjeta Edin të shtrirë dhe në gjak.
Çfarë bëtë në ato momente?
Nuk mbaj mend se çfarë kam bërë. Isha e tmerruar dhe shumë e tronditur. Mbaj mend që kam thirrur "ndihmë!", pastaj e shkunda Edin dhe i thashë "Edi, çohu të shkojmë në spital", doli komshia dhe më tha 'lëre, se është e kotë'. Më pas nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur, kapa një fëmijë për dore dhe më kishte rënë të fikët.
Kë lajmëruat të parin për ngjarjen?
Mora në telefon një mikeshën tonë të familjes dhe i thashë se çfarë kishte ndodhur. Pastaj mora vëllain e Edit në Francë dhe i thashë se çfarë kishte ndodhur, se nuk ma bënte zemra që të lajmëroja nënën dhe babain e Edit.
Kur ishit duke shkuar për në shtëpi, nuk patë ndonjë makinë të çuditshme në rrugë? Qoftë edhe ndonjë lëvizje të çuditshme?
Jo, nuk vura re asgjë të çuditshme. Ishte errësirë dhe nuk dukej asgjë. As kur e qëlluan nuk dëgjova asgjë, sepse e kishin qëlluar me silenciator.
Juve sa kohë kishit që jetonit me Edin?
Kishim 7 vjet që njiheshim bashkë.
Gjatë kësaj kohe, ka pasur Edi ndonjë problem apo konflikt?
Jo, asnjëherë. Edi ka qenë një njeri i qetë, i respektueshëm nga të gjithë, ai u shmangej problemeve dhe konflikteve. Nuk ka qenë i përfshirë në asnjë aktivitet kriminal. Ka punuar gjithë jetën si shofer në institucionet e shtetit.
Çfarë kërkoni nga drejtësia shqiptare?
Kërkojmë vetëm drejtësi. Duam të dimë se kush e vrau dhe që policia të arrestojë autorët e ngjarjes, sepse që nga dita që ka ndodhur vrasja, nuk ka ardhur askush nga policia që të na japë qoftë edhe një detaj për vrasjen.

(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›