Vrasja e Eleni Bashos, policia arreston bashkëshortin

Policia e Tiranës ka zbuluar vrasjen e Eleni Bashos, farmacistes e cila u vra më 2 shkurt në Shkozë. Drejtori i policisë së Tiranës Bernard Çaushaj ka deklaruar sot se është arrestuar bashkëshorti i viktimës Ilia Basho i cili dyshohet se është autor i vrasjes së 33-vjeçares.
Sipas policisë arrestimi i tij u bë në bazë të urdhërit të prokurorisë pas grumbullit të provave që vërtetojnë implikimin e tij në vrasjen e bashkëshortes së tij.
Nëna e dy fëmijëve u ekzekutua vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre në Shkozë të Tiranës. Por bashkëshorti i saj, që dyshohej që në fillim si autor i ngjarjes, tha në polici se ndodhej shumë larg vendit të krimit në momentin kur është vrarë gruaja e tij.
Dyshohet se motivi i vrasjes të ketë ardhur për shkak të zënkave dhe konflikteve të forta në çift. Që në fillim, familja e viktimës akuzoi Ilia Bashon si autor të krimit.