E Shtunë, 31 Tetor 2026

Henry, NATO dhe ekspertët e huaj, 3 “armët” e mbrojtjes së Delijorgjit

21/02/2012  Raporti i plotë i avokatit të Mihal Delijorgjit, i akuzuari kyç për shpërthimin në Gërdec

TIRANË- Me tri armë u mbrojt dje Mihal Delijorgji, i akuzuar për vrasje të shumëfishtë në shpëthimin e Gërdecit. “Fajtor është edhe amerikani Patrik Henry”, “Gërdeci ishte sabotim për ushtrinë shqiptare para anëtarësimit në NATO” dhe “nuk duheshin pranuar ekspertët e huaj si në rastin e gjyqit të Metës” ishin tri nga fjalitë kyçe që avokati Gëzim Veleshnja paraqiti dje në gjykatë, duke mbyllur kështu serinë e mbrojtjes të të pandehurve në procesin për tragjedinë e Gërdecit. Delijorgji ka akuzuar si përgjegjës për atë që ndodhi partnerin e tij amerikan Patrick Henry, i cili sipas tij ishte nënshkruesi i kontratave me Ministrinë e Mbrojtjes dhe administratori i gjithë punës që kryhej në kantierin e Gërdecit. Në mbrojtjen e paraqitur, avokati hedh dyshime se shpërthimi nuk ka qenë nga pakujdesia, por një veprim i nxitur nga jashtë për qëllime politike. Avokati tha se Prokuroria duhet të merrte në kondiseratë një shkresë të firmosur nga zv/drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, ku thuhet se 30 minuta para se të ndodhte shpërthimi, në dhomën ku flinte Rod Taylor, përfaqësues i shoqërisë “SAC”, ai ka instaluar një kamera në drejtim të fabrikës dhe ka filluar të filmojë.

Krijimi i Gërdecit e Patrick Henry

Avokati tregoi kronologjinë e krijimit të “Albademil”, ku shprehet se, “Me vendimin nr.36865 datë 28.12.2006 të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, shoqëria “ALBADEMIL” sh.p.k. është regjistruar si person juridik dhe aksionerë në këtë shoqëri janë, Mihal Delijorgji me 67% të kuotave dhe shtetasi amerikan Patrick C Henry III me 33% të kuotave. Prania e shtetasit amerikan, Patrick Henry III, garantonte jo vetëm dokumentacionin, por edhe përvojën e nevojshme në fushën e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve dhe armatimit që do të kryente shoqëria “Albademil” sh.p.k. Të dy bashkëthemeluesit e kësaj shoqërie, Mihal Delijorgji dhe Partyck C. Henry III, nuk janë viktima të këtij bashkëpunimi tregtar që e krijuan vetë, e administrojnë dhe e gëzojnë në vullnet të plotë edhe sot dhe, mbi të gjitha, të bazuar në respekt të legjislacionit tregtar shqiptar. Kompania amerikane “Southern Ammunition Company Inc” SAC, me përfaqësues Patrick Henry, ashtu siç ishte parashikuar edhe në kontratë, importoi në Shqipëri nëntë makineri që do të shërbenin për çmontimin e municioneve në rrugë industriale. Këto makineri u montuan në një mjedis të mbyllur, të ndërtuar me konstruksion metalik mbi një sipërfaqe të shtruar me beton, sikurse e kërkonte edhe kushti teknik dhe kërkesat e bëra nga specialistët amerikanë. Për çmontimin e fishekëve të kalibrit më të madh se ato të parashikuara, që do të kryheshin nga makineritë e sjella nga shoqëria amerikane “Southern Ammunition Company Inc” SAC, u bënë adaptimet e nevojshme dhe, në makineritë e përdorura për kalibret më të vegjël, u zgjerua perimetri i vrimave, ku vendoseshin fishekët. Të gjitha këto makineri, dhe të gjitha mjediset e fabrikës së çmontimit, mbikëqyreshin nga specialistët amerikanë të sipërpërmendur. Procesi i punës në këto makineri dhe kudo tjetër kryhej nën mbikëqyrjen e rreptë të tyre. Pra, këtu fillonte dhe përfundonte procesi i çmontimit të municioneve, e këtu ishin dhe qëndronin specialistët amerikanë që ishin ekspertë të këtij procesi. Për krijimin e kushteve sa më të mira të punës, u betonua edhe një sipërfaqe në terren të hapur në ish-repartin ushtarak të Gërdecit. Sheshi i ndërtuar mbi sipërfaqen e ish-fushës së sportit do të shërbente për vendosjen e kontenierëve Conax, në të cilët do të magazinohej baruti i përftuar nga çmontimi. Në një pjesë të sheshit të hyrjes së repartit, u ndërtua kapanoni ku u vendosën makineritë, ndërsa pjesa tjetër e këtij sheshi do të shërbente për shkarkimin dhe magazinimin e municioneve që do të çmontoheshin. Pas fillimit të procesit të çmontimit, territori që shfrytëzohej nga shoqëria “Albademil” sh.p.k., ruhej nga një shoqëri e sigurimit privat. Për sa i përket pajisjeve të punës, për hapjen e arkave përdoreshin leva e sqeparë. Për hapjen e kutive të municioneve përdoreshin pinca dhe darë. Ndërsa për transporte të nënprodukteve të ndryshme përdoreshin karroca dore me një dhe katër rrota. Këto janë të vetmet mjete me të cilat mund dhe duhej të punohej në një proces të tillë pune. Një rëndësi e veçantë iu kushtua mbrojtjes nga zjarri si element që mund të shkaktonte dëme të konsiderueshme në fabrikë. Herë pas here bëheshin trajnime për mbrojtjen nga zjarri dhe të gjitha mjediset e punës ishin pajisur me mjete zjarrfikëse, fuçi dhe kova me ujë, fuçi me rërë, kazma e lopata.

Shpërthimi, sabotim për NATO-n

Avokati Veleshnja u shpreh se, “Ngjarja dhe pasojat e shkaktuara më datë 15.3.2008 në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec, në vështrim të mbrojtjes së të mbrojturit prej meje, Mihal Delijorgji, nuk ka ndodhur nga pakujdesia e punëtorëve që punonin në fabrikën e çmontimit dhe çmilitarizimit. Ngjarja dhe pasojat e ardhura kanë një prapavijë të theksuar politike në dëm të interesave të Republikës së Shqipërisë. Shpërthimi kishte për të ndodhur, dhe ndodhi siç jemi në dijeni të gjithë për të. Shpërthimi në fabrikën e çmontimit të municionit në Gërdec ishte parashikuar që jo vetëm të shkaktonte dhe sillte pasojat e ardhura, por edhe për të paralajmëruar se Shqipëria dhe strukturat e saj në ushtri nuk ishin në lartësinë e standardeve për t’u pranuar në NATO. Shpërthimi ishte apokaliptik sepse ai nuk ishte një rastësi dhe aq. Më datën15.3.2008 puna, si zakonisht, filloi rreth orës 07.00’ të mëngjesit. Në punë ishin paraqitur rreth 100 punëtorë që e filluan ditën me marrjen e punës në dorëzim. Punëtorët filluan punë të ndarë si zakonisht në grupe prej 3-4 vetësh. Rreth 20 grupe u vendosën në shesh dhe filluan hapjen e arkave ku ishte vendosur municioni, për të bërë nxjerrjen e predhës, gëzhojës, djegores dhe barutit dhe vendosjen e tyre në vendet e caktuara. Baruti i nxjerrë nga arkat e municionit ishte i vendosur në qese dhe, mbas nxjerrjes së këtyre qeseve, punëtorët i vendosnin ato në disa thasë që shërbenin për mbledhjen e barutit. Në përgjithësi këto karroca riparoheshin me saldim nga një punonjës i fabrikës që ishte viktima Qemal Deliu, i cili i saldonte në shtëpinë e tij. Ditën e ngjarjes viktima Qemal Deliu po punonte së bashku me grupin e tij të përbërë nga familiarët e tij. Sipas akuzës, atë ditë ai ka nxjerrë për të salduar gjithsej tre karroca. Mbasi ka salduar karrocat në banesën e tij, viktima Qemal Deliu i ka risjellë ato në fabrikë. Sjellja e karrocës së fundit të salduar prej tij përkon me fillimin e pushimit për ngrënien e drekës dhe pjesa më e madhe e punëtorëve e kishin lënë vendin e punës për të shkuar për drekë. Akoma pa u larguar të gjithë punëtorët për pushimin e drekes, ra zjarri që, për shkak të përmasave të mëdha, që në momentin e parë shkaktoi shpërthime të fuqishme e djegie të të gjithë sasisë së municionit”.

Jo ekspertëve të huaj, si Meta

Për pjesën e ekspertëve avokati deklaroi se, “Raporti lidhur me shkaqet e shpërthimit, i hartuar nga ekspertët amerikanë Lerry Smith, Antony L. May dhe Peter J o’conor, lë shumë për të dëshiruar. Konkluzionet e nxjerra në përfundim të raportit të ekspertëve jo vetëm nuk e kanë shpërndarë mjegullnajën e krijuar për këtë procedim, por e kanë bërë atë edhe më të padepërtueshme. Zotërinjtë e sipërpërmendur, sipas kërkesës së akuzës, por edhe për vetë natyrën, rrethanat dhe llojin e veprës penale, duke marrë në analizë provat e gjetura në vendin e ngjarjes, deklarimet e dëshmitarëve dhe çdo detaj tjetër të fiksuar, kishin për detyrë të përcaktonin shkakun e rënies së zjarrit dhe më tej edhe të shpërthimit. Përkundrazi, akti i hartuar prej tyre, i titulluar raport hetimor, u jep në mënyrën më të keqe të mundshme, ose më mirë të themi nuk u jep përgjigje si pyetjeve të parashtruara në përgjithësi, ashtu edhe pyetjes më kryesore në veçanti, pyetjes rreth shkakut të shpërthimit. Përgjegjësia e ekspertëve, të thirrur nga akuza, gjatë kryerjes së ekspertimit ka qenë inekzistente pasi mënyra e thirrjes, shtëtesia e ekspertëve dhe vendi ku është kryer ekspertimi e bëjnë ekspertimin e tyre të pakontrollueshëm. Ekspertët amerikanë, në raportin hetimor të përgatitur prej tyre, kanë deklaruar se e kanë kryer aktin e ekspertimit në territorin e ambasadës së SHBA në Shqipëri. Kështu, duke qenë se ambasada konsiderohet territor i shtetit që përfaqëson, është sikur akti i ekspertimit të jetë bërë në SHBA. Pra, ekspertët e thirrur në rastin konkret pavarësisht nga cilësia e ekspertizës së tyre, janë të imunizuar ndaj përgjegjësisë penale për ekspertim të rremë. Mbrojtja e Delijorgjit i është referuar si precedencë vendimit të Kolegji Penal të Gjykatës së Lartë, për rastin e Ilir Metës, duke u shprehur se, “Në një rast të ngjashëm me çështjen që po gjykoni ju sot, në vendimin e ndërmjetëm të datës 11.7.2011, në gjykimin e procesit gjyqësor të regjistruar me aktin nr. 8 të datës 9.5.2011, ku shqyrtohet ekspertimi i kryer nga shtetas të huaj, respektivisht amerikan dhe anglez, arsyeton, veç të tjerash, se ‘‘…siç rezulton nga aktet, gjatë fazës së hetimeve paraprake, organi i akuzës, me vendimin e datës 24.1.2011, ka vendosur të kryejë një akt ekspertimi teknik me ekspertë të huaj, konkretisht me shtetasin amerikan Glenn K Bard, të cilit i ka kërkuar një ekspertim teknik të materialeve audiovizive dhe të sendeve të dorëzuara”. Sipas mbrojtjes së Delijorgjit, për të njëjtat arsye që u refuzua ekspertiza e huaj në procesin Meta duhej të refuzohej edhe në këtë çështje.

Kundërshtimet për “raportin hetimor”

Avokati tha se “Akti i ekspertimit, apo siç e quajnë amerikanët “Raporti hetimor” arriti në disa përfundime: Saldimi i kryer mbi një karrocë, e cila më pas është përdorur për transportin e barutit dhe në këtë mënyrë është bërë transferimi i nxehtësisë. Ndezja nga kompresioni i lëndës djegëse të vendosur në mënyrë të çrregullt nëpër fabrikën e Gërdecit. Shkëndijat elektrostatike të lëshuara nga veshjet e punonjësve që punonin në fabrikën e çmontimit të municionit në Gërdec. Shkëndijat e shkaktuara nga rrotat e karrocave, si pasojë e kontaktit metal me metal, pasi rrotat ishin zhveshur nga veshja e gomave të tyre. Burim i hapur flakë, zjarrvënia nga jashtë, si një rast diversioni. Sipas raportit të ekspertëve del se: Viktima Qemal Deliu ka salduar tre karroca ditën e ngjarjes. Por, sipas dëshmisë së dhënë nga dëshmitari Fejzo Shehu, me detyrë roje në portën hyrëse të fabrikës së Gërdecit, “… viktima Qemal Deliu e ka sjellë karrocën e tretë rreth 30 minuta para se të ndodhte shpërthimi”. Në pikën 32 të raportit hetimor të ekspertëve të thirrur nga akuza deklarohet se “… 2 minuta pas kryerjes së saldimit nxehtësia zvogëlohet shumë duke marrë një vlerë shumë më të vogël se temperatura e vetëndezjes së lëndës plasëse…”. Sipas dokumentacionit që gjendet në fashikullin e hetimit, banesa e viktimës Qemal Deliu, ku është kryer saldimi i karrocave, është 40 metra larg nga postoblloku hyrës i fabrikës. Vendi ku ra zjarri është edhe 10-15 metra larg nga postblloku në brendësi të territorit të repartit ushtarak në Gërdec. Kështu, largësia nga vendi i saldimit deri tek burimi i zjarrit është rreth 60-65 metra. Një personi, në moshën dhe gjendjen fizike të viktimës Qemal Deliu, i duhet të paktën 5 minuta për të përshkuar këtë distancë duke tërhequr karrocën me peshë të konsiderueshme, kohë pothuaj dy herë më e gjatë se koha që përcaktojnë ekspertët për uljen e nxehtësisë nën vlerën e vetëndezjes së lëndës plasëse”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›