E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Elenit, Prokuroria: Hetim të dashurës së Ilia Bashos

TIRANË- Prokuroria e Tiranës heton një tjetër person në lidhje me vrasjen e laborantes Eleni Basho, një ngjarje kjo e ndodhur që në datën 2 shkurt. I dyshuar kryesor për vrasjen e saj është Ilia Basho, bashkëshorti i cili aktualisht ndodhet në burg nën akuzën e organizimit të vrasjes, edhe pse nuk e ka pranuar këtë krim.

Megjithatë prokuroria ka pasur prova të forta për ta mbajtur në qeli. Disa prej provave janë edhe mesazhet (sms) që ai shkëmbente me të dashurën e tij Yllka Shehaj. Nisur nga këto, duket se Prokuroria ka mbledhur prova të mjaftueshme edhe për Yllkën, duke dalë në konkluzionin se edhe ajo ka pasur dijeni për vrasjen e Eleni Bashos. Mbi të do të rëndojë akuza e moskallëzimit të krimit.

Gazeta Shqiptare ka botuar sot edhe dëshminë e Yllka Shehaj për vrasjen si dhe disa prej mesazheve që Ilia i dërgonte asaj. “Unë o të marr o do vdes, prandaj kujdesu për fëmijët e mi po s'u bë kjo që dua unë...", është njëri prej tyre.

Ngjarja
33-vjeçarja Eleni Basho u ekzekutua me armë zjarri pak metra larg banesës së saj në 2 shkurt 2012, në Shkozë Tiranë. Pas hetimeve të policisë së kryeqytetit, me 21 shkurt u ndalua bashkëshorti i viktimës Ilia Thanas Basho. Sipas policisë, provat dhe faktet e grumbulluara vërtetojnë implikimin e këtij shtetasi, si organizator i vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim ndaj Eleni Bashos. Motivi i vrasjes së 2 shkurtit dyshohet të ketë ardhur për shkak të zënkave dhe konflikteve të forta në çift, që kishin lindur si pasojë e një lidhje jashtëmartesore që kishte pasur Ilia Basho për afro një vit. Mesa duket Eleni nuk e ka pranuar një fakt të tillë, e për këtë shkak përplasjet mes tyre ishin bërë të vazhdueshme, duke vënë në pikëpyetje vazhdimin e jetesës së përbashkët. Ilia Basho mendohet se ka pasur një lidhje dashurie jashtëmartesore me Yllka Shehaj me profesion dentiste dhe e njohur e familjes.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ilia Basho mesazh të dashurës: O të marr o vdes! Kujdesu për fëmijët e mi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›