Vrrasja e Elenit, flet i shoqi, Ilia Basho: Unë skam gisht, ja ku dyshoj

Ilia Basho, bashkëshorti i viktimës Eleni Basho
Policia merr tabulatet e telefonit të laborantes 36-vjeçare: Xhelozia? U konfliktua me një femër në ambient publik.
Ekskluzive/ Ilia Basho tregon me detaje historinë e tij që nga fëmijëria me të shoqen. Si e nisën biznesin në Tiranë dhe pse ia shitën aksionet ortakut. Misteri për 25 mijë euro të munguara dhe cili ka qenë itinerari i tij ditën e vrasjes së Elenit: Nuk kemi pasur probleme në çift, dyshoj se është grabitje ose ngatërrim personi. Flet edhe ortaku i çiftit: Krimi nuk ka lidhje me biznesin. Shkarkohen tre drejtuesit e Policisë së kryeqytetit.
Eleni donte të ndaheshim nga ortaku për 100 mijë euro
Elenin e vranë se kanë ngatërruar person, ose sepse kanë dashur ti grabisin 25 mijë eurot. Këto janë 2 pistat e dyshimit të Ilia Bashos mbi ekzekutimin e bashkëshortes së tij mbrëmjen e së enjtes.
Por pa e ditur se dhe ai vetë është shndërruar në një pistë dyshimi nga ana e policisë. Madje, jo vetëm për eliminimin e së shoqes 35-vjeçare, por edhe për trafik droge me Rumaninë. Jam në ëndërr më duket, reagon instinktivisht Ilia, pasi ia thamë. Rreth e rrotull, ashtu si Ilia, plot të afërm e fqinj zgjasin kokën për të marrë vesh diçka më shumë. Janë ose kushërinj me njëri-tjetrin ose krushq. Në fshatin me emër dëshmori, Andon Poçi, është traditë e vjetër që martesat të bëhen mes tyre, edhe pse vitet e fundit gjithnjë e më rrallë. I përkasin të gjithë komunitetit vlleh dhe si të tillë kanë ritet e tyre edhe në rastet e vdekjes. Ata nuk lejojnë që tua trazosh dhimbjen. Gjatë ditëve të zisë, të paktën deri në shtatë ditë, askush nuk duhet të pyesë dhe të ngacmojë rreth personit që ka vdekur. Një veprim i tillë quhet provokim për ta. Të tillë na quajtën edhe ne: provokatorë! Tentativa jonë për të mësuar diçka më shumë rreth fëmijërisë dhe rinisë së Elenit në fshat, u konsiderua si fyerje. Sepse në mort vizitorët vetëm ngushëllojnë, nuk pyesin. Për më tepër në ditën e dytë të zisë, kur për familjarët dhe banorët e fshatit ende nuk ishte ftohur trupi i pajetë i Elenit, pavarësisht temperaturave nën zero. Dalëngadalë, me të tillë zemërim të heshtur kaloi paraditja e djeshme në fshat. E tillë erdhi edhe dreka, ndërsa pasditja u ngrys krejt ndryshe. Pas shumë orëve në fshatin Andon Poçi, pranoi më në fund të flasë për gazetën Panorama vetë Ilia. E pasi ai hapi për ne njërën derë, të tjerët i çelën të dyja dyert më pas. Por se çfarë gjetëm nëpër shtëpitë e tyre, kjo është një histori për tu shkruar më vete. E bukur dhe krejt ndryshe nga këto ditë zie. Dhe do ta shkruajmë njëherë tjetër. Deri atëherë, le të sqarojmë atë për çfarë Ilias iu duk se ishte në ëndërr dhe banorët zgjatën kokat…
Si e morët vesh lajmin e vrasjes së bashkëshortes suaj, Elenit?
Më mori në telefon djali im, Thanasi dhe më tha që mami është shumë sëmurë dhe e kanë çuar me urgjencë në spital.
Ku ishit në momentin kur morët telefonatën e djalit?
Sipër Pazarit të Ri, po dorëzoja një porosi pranë një klinike private.
E mbani mend sa ka qenë ora?
Sinqerisht, nuk më kujtohet saktë, por diku rreth 6:30-7:00 e darkës më duket. Nuk e kam parë orën, sepse pas marrjes së telefonatës nga ana e djalit, jam nisur menjëherë drejt spitalit.
Pra, në orën që ka ndodhur vrasja ju keni qenë pranë Pazarit të Ri?
Po.
A keni dëshmitarë për këtë?
Po, personat të cilëve u kam dorëzuar porosinë në klinikën private.
Çfarë bëtë pas telefonatës së djalit?
U nisa menjëherë drejt spitalit, te urgjenca. Kam ecur me bllokazh, drita ndezur dhe duke i rënë borisë si i çmendur. Rrugës jam përpjekur të bëj disa telefonata për të mësuar më shumë rreth shëndetit të Elenit, ku më së shumti kam tentuar të lidhem me kunatin. Pra, vëllain e Elenit.
Pse me vëllain e Elenit?
Sepse ai jeton ngjitur me ne dhe djali më tha që Vaska (vëllai) e kishte çuar Elenin në spital.
Arritët të lidheshit në telefon me kunatin?
Derisa arrita të lidhem në telefon, kisha arritur edhe vetë në spital. Kunati ishte aty, së bashku me disa të afërm të tjerë dhe komshinj.
Ishte gjallë bashkëshortja juaj kur arritët në spital?
Jo, fatkeqësisht kishte ndërruar jetë.
Kush e ka gjetur fillimisht trupin e pajetë të Elenit?
Siç më kanë thënë, fqinjët e kanë gjetur. Ata kanë vrapuar drejt vëllait të Elenit, i cili ka lajmëruar menjëherë policinë, si dhe e ka çuar me urgjencë drejt spitalit.
Kanë parë këta persona ndonjë të dyshuar?
Jo. Asnjë. E kanë gjetur të shtrirë përdhe, por nuk kanë parë asnjeri.
Po ju vetë, dyshoni ndokund?
Mua më ka ardhur krejt e papritur. Dyshimi im kryesor është që mund të kenë ngatërruar person, nisur edhe nga errësira dhe shiu i asaj nate. Si Eleni, edhe unë, nuk kemi pasur probleme me njeri. Kemi lëvizur gjithnjë lirisht, ashtu si atë ditë. Po ti kishim rënë njeriu më qafë, do të ishim prej atyre që fshihen e ruajnë veten.
Pse Eleni po dilte në atë orë nga shtëpia, nisur edhe nga koha me shi? A ju tha se ku po shkonte?
Eleni nuk po dilte nga shtëpia në atë orë, por po kthehej në shtëpi pas punës.
Punës si laborante dentare?
Jo, Eleni nuk ka punuar asnjë ditë të vetme si laborante dentare dhe nuk ka kryer ndonjë shkollë të tillë profesionale. Ajo ishte deri para pak muajsh ortake e biznesit tonë të familjes në firmën Nova Dental. Nuk është se merrej direkt me tregtimin e produkteve të firme, por ndihmonte më së shumti me marrje apo dorëzim porosish, mbajtje llogarish etj. Jepte kontributin e saj sa mundej, si ortake.
Ortake me kë?
Me Ilirian Bitunin. Së bashku kishin ligjërisht firmën e pajisjeve dentare Nova Dental
Po ju?
Unë punoja në të njëjtën firmë, bëja tregtimin e mallit.
Po pse Eleni ishte ortake dhe ju punëtor?
Që të jem i sinqertë, realisht unë isha ortaku, por që kur u krijua firma Nova Dental, e regjistrova Elenin zyrtarisht si të tillë.
Për çfarë arsyeje?
Sepse unë asaj kohe punoja si oficer hetimor pranë Tatimeve Tiranë. Duke qenë se punoja në shtet, nuk doja të ekspozohesha edhe në privat. Kështu, i propozova Ilirianit që të vinim Elenin si bashkëpronare të firmës dhe ai pranoi.
Për çfarë viti bëhet fjalë?
Në vitin 2000 kam filluar punë te Tatimet, ndërsa firma u themelua në vitin 2001. Më pas, hoqa dorë fare nga puna në shtet dhe iu përkushtova vetëm investimit privat.
Duke qenë se latë punën në shtet, pse nuk e hoqët Elenin nga ortakëria me Ilirianin?
Nuk mu duk ndonjë problem nëse ishte ajo. Në fakt, nuk e hoqa vetëm nga fakti se duheshin bërë një mal me letra të tjera, në rast se do të ndryshoja ortakërinë. Ishte njësoj si të ishte ajo apo unë në atë firmë. Ne kishim çdo gjë të përbashkët dhe nuk na prishte punë se kush e kishte emrin nëpër dokumentacione. Në fund të fundit, isha unë që merresha me gjithçka, pa ia mohuar edhe asaj ndihmën. Eleni arriti që tua merrte mirë dorën punëve dhe madje, ajo ishte shtysa kryesore për të ndarë biznesin nga Ilirianin dhe të fillonim tonin nga e para.
Pse ajo kërkonte që të ndahej nga biznesi me ortakëri?
Siç ju tregova, biznesin zyrtarisht e nisëm në vitin 2001 dhe nga ajo kohë, gjërat kishin evoluar shum