E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnje, 98 000 viktima nga lufta e viteve 1992-95

SARAJEVË- Qendra hulumtuese-dokumentare e Bosnje-Hercegovinës deri tani ka regjistruar rreth 98 000 viktima nga lufta në vendin ballkanik, e zhvilluar gjatë viteve 1992-95.

Drejtori i kësaj qendre, Mirsad Tokaç deklaroi se nga ky numër, 55 për qind e të vrarëve janë ushtarë, ndërsa 45 për qind janë civilë.
Mes të vrarëve ka rreth 64 000 boshnjakë, 24 900 serbë, 7 700 kroatë dhe rreth 500 pjesëtarë të kombësive të tjera.

Megjithatë, sipas tij, ''ky numër nuk është përfundimtar dhe hulumtimi vazhdon''. Tokaç theksoi se mes të vrarëve boshnjakë 33 000 janë civilë, ndërsa 30 000 janë ushtarë, mes serbëve mbi 4 000 janë civilë dhe 21 000 janë ushtarë, mes kroatëve 2 100 janë civilë dhe 5 600 janë ushtarë.

Mes pjesëtarëve të kombësive të tjera 370 prej viktimave janë civilë dhe 100 janë ushtarë.

"Bëjmë hulumtime të komunave, pasi na intereson edhe struktura kombëtare e të vrarëve. Më shumë viktima janë regjistruar në Sarajevë 13 756, më pas në Srebrenicë, Priedor, Zvornik, Foçë, Vllasenicë, Mostar, Doboj, Vishegrad dhe Banja Lukë", theksoi Tokaç.
(ma.ar/mia/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›