Zhdukja e ish-oficerit të UÇK-së, zbulohen tre pasaportat e Kryeziut
TIRANE – Prokuroria e Tiranës rikthen në polici për plotësim me prova, dosjen penale për zhdukjen e ish-oficerit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ismet Kryeziu. Organi i akuzës në kryeqytet tha se në dosjen penale nga tërësia e provave, fakteve e dëshmive të mbledhura, nuk është plotësuar dhe argumentuar figura e veprës penale “rrëmbim personi”. Në këto kushte, Prokuroria duke u bazuar edhe në procedurat Penale ka vendosur ta delegojë dosjen në polici me qëllim plotësimin e saj me prova e të dhëna që flasin për rrëmbim. Sipas Prokurorisë, mësohet se marrja e ish-oficerit të UÇK-së nga persona të tjerë është vetëm një pretendim i të afërmve të Kryeziut, pasi provat për këtë version janë të mangëta, madje të pamjaftueshme. Nga verifikimet e Prokurorisë është mësuar se 54-vjeçari Kryeziu kishte në përdorim tre pasaporta të ndryshme, që i vinte në punë për udhëtim. Madje mësohet se me dokumente të tilla Ismet Kryesiu ka kryer tre hyrje-dalje në Shqipëri në ditët e fundit para se të zhdukej. Me anë të tre pasaportave që dispononte, mësohet se 54-vjeçari ka ardhur me bashkëshorten nga Kosova, ka qëndruar disa ditë në Shqipëri më pas është larguar i vetëm në drejtim të Iranit e më pas është kthyer përsëri në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit. Zotërimi i dokumenteve të tilla të udhëtimit si dhe sasia e madhe e tyre përbëjnë sipas Prokurorisë dyshim se Ismet Kryeziu me ndonjë dokument tjetër mund të ketë lëvizur jashtë Shqipërisë, pasi nuk përjashtohet mundësia që ta ketë zotëruar një të tillë. Nga ana tjetër, policia e Tiranës ka marrë në pyetje mbi 20 dëshmitarë përfshire dhe gruan e Kryeziut. Nga të gjitha deklarimet e mbledhura prej hetuesve asnjë prej tyre nuk flet për mundësinë, që 54-vjeçari të jetë kërcënuar apo ndjekur nga persona që më pas mund ta kenë rrëmbyer. Prokuroria tha se nga 20 dëshmitarët që ka marrë në pyetje, dy prej tyre kanë pranuar se Ismet Kryeziu kishte detyrime financiare në formën e borxheve përfshirë edhe vetë ata. Organi i akuzës tha se i ka kërkuar policisë t’i verifikojë të gjitha këto fakte dhe të hetojë me kujdes çdo detaj me qëllim që të përcaktohet qartë çfarë ka ndodhur me zhdukjen e ish-oficerit të UÇK-së. tr.so