E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë: Po hetojmë gjyqtarin Lleshi

TIRANË- Ministria e Drejtësisë kërkon nga Komisioni i Etikës pranë Konferencës Gjyqësore të japë mendim në lidhje me shkeljen ose jo të etikës nga gjyqtari Murat Lleshi, gjatë incidentit me gazetarin e emisionit “Fiks Fare”, Ksenofon Ilia. Bashkë me shkresën dërguar këtij komisioni, Ministria e Drejtësisë i dërgoi anëtarëve të këtij komisioni edhe një përmbledhje të ngjarjes së ndodhur me datë 21 maj të këtij viti mes gjyqtarit Lleshi dhe gazetarit Ilia. Ky fakt u bë i ditur dje, nga këshilltarja për mediat në Ministrinë e Drejtësisë, Migena Demirxhiu. Ajo njoftoi se një kopje të kësaj kërkese i është dërguar për dijeni edhe shoqatave të gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Unionit të Gjyqtarëve, me qëllim nxitjen e tyre për një reagim ndaj rastit në fjalë. “Menjëherë pas publikimit të ngjarjes në kanalin televiziv Top Channel për përfshirjen e gjyqtarit Murat Lleshi në një konflikt me gazetarë, Ministri i Drejtësisë urdhëroi verifikimin e rastit nga Drejtoria e Inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë. Në zbatim të këtij urdhri, kjo Drejtori me datën 21 maj ka kryer verifikimet përkatëse në gjykatën e rrethit gjyqësor Mat, lidhur me veprimet e gjyqtarit Murat Lleshi në incidentin me gazetarin e Top Channel. Konkretisht është proceduar me marrjen e të dhënave nga vetë gjyqtari Murat Lleshi, nga kryetari i gjykatës, nga kancelarja e Gjykatës, nga sekretarja gjyqësore”,-tha Demirxhiu gjatë fjalës së saj. Duke shtuar se drejtoria e inspektoratit ndodhet në përfundim të përpunimit të të dhënave të marra dhe të hartimit të raportit përfundimtar, ku rezulton një sërë të dhënash mbi problemet e mundshme të veprimtarisë procedurale në gjykim të gjyqtarit Murat Lleshi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›