E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Franc KonomitGSH: Policia e ruantepër trafik droge

TIRANE- Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e autorëve të vrasjes së Franc Konomit, i skeduar nga policia si një prej eksponentëve të krimit në kryeqytet. 42 vjecari u ekzekutua në mënyrë mafioze mesditën e të enjtes (8 korrik 2010) brenda në makinën e tij tip Benz me targa Tr 0626 S në sheshin “Avni Rusetimi” , në Tiranë. Dy persona me motor kanë qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të Konomit, i cili ka gjetur vdekjen rrugës për në spital.

Gazeta Shqiptare shkruan sot, se hetimet kanë nxjerrë në dritë fakte që dërgojnë policinë drejt dyshimit se vrasja erdhi për prishjen e pazareve në trafikun e kokainës. Madje “Franc Konomi prej ditësh ishte vënë në survejim nga skuadra e antidrogës, për shkak të këtyre dyshimeve”- vazhdon shkrimi. Ndërsa një vit më parë në Spanjë u plagos Domart Konajri, i njohur si një prej miqve të tij të ngushtë.

Policia ka sekuestruar regjistrimet e kamerave të sigurisë të dy bankave, që janë përballë njëra-tjetrës në rrugën “Luigj Gurakuqi”, në Tiranë, pikërisht në vendin ku Konomi u qëllua për vdekje. Nga pamjet do të vëzhgohet me kujdes çdo lëvizje që nga mëngjesi e deri në momentin kur Konomi është ekzekutuar.

Policia ka kërkuar nga kompanitë celulare tabulatet e tre muajve të fundit për të verifikuar çdo telefonatë të kryer nga viktima, si dhe është kontrolluar me imtësi makina në të cilën u ekzekutua Konomi. Për të hedhur dritë mbi ekzekutimin mafioz,janë marrë në pyetje 35 persona, mes tyre miq të ngushtë të Konomit.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›