E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Konomit, Vlora proteston në sheshin e ‘Flamurit’

TIRANE- Vlora e shokuar nga vrasja mafioze e gjykatësit të ri Skerdilajd Konomit, vendos të protestojë. Ditën e premte kur mbushet plot një javë nga vrasja makabre e Konomit, e kryer në mënyrë demonstrative e barbare, qytetarët vlonjatë do të mblidhen në Sheshin e “Flamurit”, në shenjë nderimi për njeriun e drejtësisë, duke kërkuar nga autoritetet me shumë siguri për jetën e tyre dhe të familjeve.

Protesta pritet të zhvillohet e qetë, pavarësisht se prania e forcave të rendit do të jetë e madhe, për shkak se Vlora muajt e fundit është tronditur disa herë nga ngjarje të rënda. Protesta qytetare, vjen fill pas “protestës së heshtur” të gjykatësve të mbarë vendit, të cilët kërkuan drejtësi për kolegun e tyre, gjetjen dhe ndëshkimin e autorëve të krimit makabër dhe solidarizim e mbështetje nga qytetarët.

Hetimet
Hetimet për zbardhjen e shpërthimit tragjik që i mori jetën gjykatësit Konomi, po vazhdojnë në dy pista; vrasja për shkak të detyrës, dhe tjetra më kryesorja vrasje për motive pronësie. Përgjatë këtyre pesë ditëve të pas ngjarjes, grupi hetimor ka pyetur dhjetëra dëshmitarë okularë të ngjarjes, të cilët kanë shpjeguar gjithçka panë në bulevard kur makina shpërtheu dhe i mori jetën babait të dy fëmijëve. Në duart e prokurorëve ndodhen dhe dëshmitë e familjarëve të Konomit dhe të afërmve të tjerë. Po ashtu mësohet se gjatë dy ditëve të fundit hetuesit kanë pasur biseda dhe me kolegë të Skerdilajd Konomit. Grupi i hetimit ka qenë tejet i rezervuar për të nxjerrë detaje të këtyre dëshmive që konsiderohen kyçe në zbardhjen e ngjarjes. Gjykatësi Skerdilajd Konomi u ekzekutua mëngjesin e 9 shtatorit 2011, teksa po udhëtonte me makinën e familjes, pasi një sasi e madhe tritoli shpërtheu duke i marrë jetën. Ai njihej nga të gjithë si gjykatësi me reputacion të mirë, i ndershëm e familjar i rregullt, baba i dy fëmijëve.
(Enrik Mehmeti/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›