Telemjekësia, trajnime për personelin
Specializim i personelit mjekësor në fushën e telemjekësisë, që tashmë funksionon edhe në vendin tonë. Ministri i Shëndetësisë mori dje pjesë në trajnimin që po zhvillohet për këtë qëllim. Vasili u shpreh gjatë aktivitetit, se në sajë të telemjekësisë do të rritet saktësia e diagnozave, por do të reduktohen ndjeshëm shpenzimet si dhe distanca. "Drejtimet e reja që kanë të bëjnë me telemjekësinë janë të lidhura drejt për drejt me cilësinë e lartë të diagnozës dhe kohën shumë të shkurtër të vendosjes së saj. Për një sistem shëndetësor, i cili synon të jetë sa më racional, pra, të arrijë të ketë rezultate maksimale me sa më pak shpenzime të panevojshme, telemjekësia sigurisht është një nga përgjigjet më të mira dhe elokuente për këtë", tha Ministri i Shëndetësisë. Për të mos humbur afatet, programi do të nisë në mjediset ekzistuese të spitaleve. Me financimin e USAID, janë porositur pajisjet (njësi telemjekësisë, kompjuterë, etj) që do të instalohen në secilin prej spitaleve të përzgjedhur.