Vrasja e Kurmemajt, ja pistat ku po heton policia e Shkodrës
Dy ditë pas vrasjes, policia ende nuk ka bërë zyrtar motivin e vrasjes, ndërsa emrat e autorëve të vrasjes nuk bëhen të ditur
SHKODËR Vrasja e 46-vjeçarit Astrit Kurmemaj në mesditën e së hënës akoma nuk ka zyrtarisht një motiv dhe pse pista kryesore është ajo e gjakmarrjes. Zyrtarisht policia ka deklaruar se i ka identifikuar autorët që, sipas saj, janë dy persona dhe po punohet për kapjen e tyre, por nuk e ka deklaruar motivin.
Kontrolli
Sipas burimeve jo zyrtare të policisë, por dhe të personave të tjerë, menjëherë pas vrasjes, forca të shumta policie përfshirë dhe FNSH e Shkodrës kanë zhvilluar kontrolle në banesat e fisit Muça, që ndodhet në hasmëri me atë Kurmemaj dhe mbi të cilin kanë rënë dyshimet e para. Por mësohet se asnjë prej pjesëtarëve të këtij fisi nuk është shoqëruar, pasi ata janë gjetur në banesa, vetëm pak minuta pas vrasjes. Kjo ka bërë që policia të hedhë si pistë dhe atë të ndonjë vrasjeje nga persona të tjerë, të cilët nuk janë njohur nga viktima. Hasmëria mes dy familjeve Muça e Kurmemaj zë fill që në vitin 1998 dhe viktima mësohet se ka qenë i kujdesshëm në lëvizjet e tij dhe është ruajtur nga ndonjë hakmarrje e mundshme.
Dyshimi
Sipas policisë, viktima nuk i ka njohur autorët që i kanë ardhur nga pas dhe e kanë qëlluar dy herë me pistoletë pas koke nga distancë e afërt, dhe nuk ka patur mundësi të reagojë. Astrit Kurmemaj njihej si një person me shkathtësi lëvizjeje dhe shmangieje në rast rreziku, por të hënën ai ka lëvizur në këmbë në mes të ditës, vetëm, nga ambienti si magazinë në pronësi të tij në drejtim të banesës. Kjo ka bërë që policia të mendojë se autori i vrasjes ka qenë profesionist dhe nuk ka patur njohje me viktimën. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, po hetohet dhe në pista të tjera përveç gjakmarrjes. Kështu mësohet se ditën e vrasjes, disa orë më parë, viktima ka patur një konflikt të çastit me një person brenda një lokali dhe ky pas vrasjes është shoqëruar nga policia dhe më pas është lënë i lirë. Po kështu po hetohet dhe në të kaluarën e viktimës, në vitet ku ai ka qenë në emigracion, në fillim të viteve ‘90, lidhur me ndonjë konflikt të atyre kohëve. Astrit Kurmemaj, baba i katër fëmijëve, tre djem e një vajzë, është përcjellë të martën në banesën e fundit.
Pista 1
Një nga pistat kryesore ku po heton policia e Shkodrës është ajo e gjakmarrjes, për shkak të akuzave që rëndonin ndaj tij
Pista 2
Një konflikt i rastit me persona ende të panjohur, që ka ndodhur në një lokal para vrasjes, mund të jetë një tjetër pistë
Pista 3
Në fillim të viteve ’90 Astrit Kurmemaj ka qenë emigrant në Itali dhe vrasja mund të ketë lidhje me ndonjë konflikt të vjetër
djana kolaj