E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Drejtësia të mos vonojë për Gërdecin

Kryeministri Berisha tha se Rama luan me jetët e të humburve sa herë afrojnë fushatat elektorale

TIRANË- Pak minuta pas përfundimit të protestës së opozitës për trevjetorin e humbjes së 26 banorëve të Gerdecit, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm, ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha. “Sot, kryeministri Sali Berisha i bashkohet dhimbjes së familjarëve të viktimave që 3 vjet më parë humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit. Kryeministri u bën thirrje institucioneve të drejtësisë të mos vonohen në ndëshkimin e përgjegjësve të kësaj tragjedie”,- thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Në këtë deklaratë, Kryeministri i vendit nuk i është shmangur edhe qëndrimit politik, duke u nisur nga protesta e sapozhvilluar e opozitës. “Kryeministri përshëndet aktin dinjitoz të banorëve të Gërdecit, distancimin e tyre nga loja makabre që po vazhdon të luajë Partia Socialiste dhe kryetari saj Edi Rama me dhimbjen e të afërmeve për jetët e të humburve të 15 marsit sa herë afrojnë fushatat elektorale”,- thuhet në njoftimin për shtyp. Përmes deklaratës, kreu i ekzekutivit kujton se në dyvjetorin e kësaj tragjedie, kryesocialisti Edi Rama nuk u kujtua, pasi nuk ishte vit elektoral. “Qeveria garanton banorët e kësaj zone se do të angazhojë të gjitha mundësitë e saj për të ndihmuar e lehtësuar jetën e tyre”,- thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›