E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Qafë-Gjashtës, dëshmitarët refuzojnë të vijnë në proces



Seanca e radhës për procesin e Qafë-Gjashtës nuk arriti dje të zhvillohej për shkak të mungesës së pesë dëshmitarëve. Kryesuesi i kolegjit penal u detyrua të lexojë një shkresë të policisë së Sarandës ku shpjegohej se adresat ishin dhënë të sakta dhe dëshmitarët kishin marrë dijeni për datën e seancës. Përballë kësaj situate gjykata u detyrua të urdhëronte shoqërimin e dy prej dëshmitarëve me polici. Këta dy dëshmitarët pritet të dëshmojnë në seancën e ardhshme. Procesi i Qafë-Gjashtës ka nisur prej kohësh dhe është ende në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të akuzës. Të pandehurit e këtij procesi janë Vladimir Sinani, Eduart Çipa, Alqi Paguni, Admond Sejko, Agron Qurku, Aleksandër Bala, Mikel Këndezi, Nestor Sinani, Arben Këndezi dhe Ristan Lapa. Të pandehurit akuzohen për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”, “vrasje e mbetur në tentativë”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas prokurorisë, më 4 mars 1997, disa efektivë të policisë së Vlorës, Gjergj Mehmeti, Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj, kanë rënë në një pritë të armatosur në vendin e quajtur Qafë-Gjashta. Ata po ktheheshin drejt Vlorës, pasi nuk kishin mundur të rivinin në funksion Komisariatin e Policisë së Sarandës.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›