E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Osama Bin Ladenit, Topi përgëzon Obamën

Kreu i shtetit Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ka përshëndetur asgjesimin e Osama Bin Ladenit duke e cilësuar si një nga fitoret më të mëdha të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.
 

“Më lejoni t`ju përgëzoj për përmbushjen e misionit të vënies së drejtësisë në vend nga forcat amerikane me asgjesimin përfundimtar të Osama Bin Ladenit, duke arritur në këtë mënyrë shënimin e njërës prej fitoreve më të rëndësishme në luftën e gjate e të vështirë kundër terrorizmit ndërkombëtar!” thuhet në mesazhin e Topit drejtuar Obamës.
 

“Si President i Republikës së Shqipërisë dhe në emër të mbarë popullit shqiptar, dëshiroj t`ju shpreh përgëzimet më të sinqerta për arritjen e këtij suksesi, që më ngazëlleu dhe në të njëjtën kohë më bëri të ndihem krenar që vendi im është rreshtuar përkrah aleatit dhe mikut më të madh të Shqipërisë: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit, që besoi në luftën pa kompromis kundër së keqes, kundër terrorizmit duke mbrojtur parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë anembanë botës si dhe vendosjen e sigurisë, paqes dhe qëndrueshmërisë në të katër anët e globit” thekson Topi.
 

Më tej kreu i shtetit Topi thekson se Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë me devotshmëri angazhimet e saj në kuadër të NATO-s duke dhënë kontributin e vet në sfidat e ardhme për liri, demokraci si dhe për të ndërtuar një botë akoma edhe më të mirë për të gjitha kombet e të ardhmen e tyre.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›