Vrasja e Bin Laden, Berisha e Topi: Fitore e paqes
TIRANË- Lajm të mirë për paqen dhe luftën kundër terrorizmit e kane quajtur kreu i shtetit dhe ai i qeverisë shqiptare vrasjen e Osama Bin Ladenit nga forcat e ushtrisë amerikane.
Berisha ka reaguar permes nje deklarate per mediat, nderkohe Topi i eshte drejtuar me nje telegram urimi presidentit amerikan Barak Obama.
Presidenti Topi e ka quajtur përmbushje te misionit të vënies së drejtësisë në vend nga forcat amerikane asgjësimin përfundimtar të Osama Bin Ladenit, duke arritur në këtë mënyrë shënimin e njërës prej fitoreve më të rëndësishme në luftën e gjatë e të vështirë kundër terrorizmit ndërkombëtar!
“Si President i Republikës së Shqipërisë dhe në emër të mbarë popullit shqiptar, dëshiroj tju shpreh përgëzimet më të sinqerta për arritjen e këtij suksesi, që më ngazëlleu dhe në të njëjtën kohë më bëri të ndihem krenar që vendi im është rreshtuar përkrah aleatit dhe mikut më të madh të Shqipërisë: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit, që besoi në luftën pa kompromis kundër së keqes, kundër terrorizmit duke mbrojtur parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë anembanë botës si dhe vendosjen e sigurisë, paqes dhe qëndrueshmërisë në të katër anët e globit”- thuhet ne mesazhin e Topit.
Ai ka siguruar se Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë me devotshmëri angazhimet e saj në kuadër të NATO-s duke dhënë kontributin e vet në sfidat e ardhme për liri, demokraci si dhe për të ndërtuar një botë akoma edhe më të mirë për të gjitha kombet e të ardhmen e tyre.
Berisha
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha në reagimin e tij të parë për këtë lajm është shprehur i kënaqur, duke e vlerësuar gjithë sa ndodhi një fitore në adresë të paqes.
Ai mori përgjigjen që meritonte prej vitesh. Ky është lajmi më ngushëllues për familjarët e mijëra viktimave të pafajshme të sulmeve që kryeterroristi organizoi në shumë vende të botës- tha Berisha.
Sipas tij, lajmi është një sukses i SHBA-së dhe presidentit Obama, por edhe një fitore e paqes kundër terrorizmit.
Ministria e Jashtme
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka përshëndetur eliminimin e kryeterroristit Osama Bin Laden.
Shqipëria, si një nga vendet e para që iu bashkua aleancës kundër terrorizmit ndërkombëtar, shpreh bindjen se qëndrimi i palëkundur në luftën kundër akteve terroriste dhe frymëzuesve të tyre, përbën kyçin e suksesit të luftës sonë të përbashkët për të siguruar paqen dhe lirinë në botë thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Sipas saj, MPJ-ja thekson se në këtë ditë, populli shqiptar bashkohet me ndjenjat dhe solidaritetin e popujve të mbarë botës, që kanë vuajtur pasojat e akteve të pashembullta të terrorizmit ndërkombëtar, përfshire 11 shtatorin.