E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Osames Al Kaeda kercenon me hakmarrje

Ndihmësi kryesor i Osama Bin Laden, tashmë numri një i Al Kaedës, Ajman al-Zauahri, paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një kryengritje muslimane për vrasjen e liderit të tyre. Me anë të video të postuar në faqet xhihadiste të internetit, Al Zauahri është deklaruar për herë të parë publikisht që nga sulmi mbi Abotabad duke u betuar të hakmerret ndaj SHBA dhe aleatëve të saj.

“Sheiku u largua drejt Zotit si martir dhe ne duhet të vazhdojmë rrugën e tij të xhihadit, për të përzënë të gjithë pushtuesit nga toka e muslimanëve dhe ta pastrojmë atë nga pdrejtësitë”, thotë ai në klipin 28 minutësh.
Zauahri ka paralajmëruar amerikanët të mos i gëzohen vdekjes së Bin Ladenit, pasi përballen me rebelimin e një kombi që është zgjuar për një rilindje xhihadiste.

Ai dënon varrosjen e Bin Laden në det, një veprim i kritikuar nga mjaft klerikë muslimanë si joislamik. Gjithashtu, vlerëson trazirat në Egjipt, duke apeluar për zbatimin e ligjit islamik, sharia në këtë vend dhe vende të tjera arabe e duke u bërë thirrje edhe pakistanezëve të ndjekin këtë gjurmë. Kurse për Libinë, Al Zauahri paralajmëron muslimanët se amerikanët kërkojnë të zëvendësojnë Gaddafin me një mbështetës të tyre.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›