CEZ: Kemi monopolin deri më 2014, tregu nuk mund të hapet
Kompania e shpërndarjes së energjisë, CEZ, ka reaguar dje ndaj disa ndryshimeve që është duke ndërmarrë qeveria shqiptare për liberalizimin e tregut të energjisë, duke u shprehur se në momentin e privatizimit të OSSH është përcaktuar në kontratë monopoli i shpërndarjes deri në vitin 2014. “Veprimtaria e CEZ Shpërndarje rregullohet nga Ligji Nr.10116, i datës 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s.” dhe Deklarata Rregullatore është e vlefshme deri në vitin 2014”, sqaroi kompania në njoftim të djeshëm për shtyp. Të gjithë treguesit e CEZ Shpërndarje (niveli i arkëtimeve, humbjet, investimet, borxhet e këqija) përcaktohen nga Deklarata Rregullatore në fuqi. Nisur nga kjo deklaratë, ndryshimet në Ligjin për Sektorin e Energjisë duhet të jenë në përputhje me marrëveshjen e privatizimit, dhe sektorit duhet t’i jepet koha e duhur për t’u përgatitur për liberalizimin e tregut. Sipas CEZ, hapa të tilla si reforma e tarifave, procesi i ndarjes së linjave të biznesit për të tria kompanitë e këtij sektori, rishikimi i objektivave të përcaktuara etj., duhen ndërmarrë përpara liberalizimit të tregut. Mirëpo ekspertët ligjore në Ministrinë e Energjetikës dhe jashtë saj bëjnë me dije se ndryshimet ligjore prevalojnë mbi kontratat dhe rregulloret. Mirëpo CEZ pretendon se, bazuar mbi përvojën e vendeve europiane, hapja e tregjeve bëhet në periudha disavjeçare. “Liberalizimi i menjëhershëm i tregut pa një periudhë tranzicioni mund të çojë në rritje të mëdha të tarifave të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset, si dhe mund të nxisë rritjen e papunësisë”, sqaron CEZ në deklaratën për mediat, duke lënë të kuptojë se, nëse qeveria do të veprojë me hapjen e tregut para vitit 2014, atëherë kompania do të reagojë me rritje të tarifave. Më tej CEZ Shpërndarje shprehu gatishmërinë për të kontribuar në lidhje me përpjekjet e Shqipërisë për të liberalizuar tregun e energjisë, për ta përshtatur atë me standardet dhe praktikat më të mira europiane. Reagimi i CEZ erdhi në kuadër të deklaratës së dy ditëve më parë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) mbi ndryshimet për liberalizimin e tregut të energjisë në Shqipëri. Kompania shprehët e gatshme për të qenë pjesë e një grupi pune me të gjithë grupet e interesit që operojnë në tregun energjetik shqiptar, në mënyrë që të përgatitet liberalizimi i tregut të energjisë në vend. Por sipas kompanisë ky proces duhet përgatitur me kujdes, duhen llogaritur më parë kostot që lidhen me të dhe duhen marrë në konsideratë burimet për të përballuar kostot.