Vrasja e Selimit, pista kryesore, trafiku i drogës

Pista kryesore në të cilën po heton policia e Tiranës dhe prokuroria për vrasjen e Arjan Selimit është ajo e trafikut të lëndëve narkotike. Grupi hetimor i ngritur për këtë çështje ka nisur menjëherë marrjen e informacioneve të para në lidhje me aktivitet e fundit që ka kryer Arjan Selimi ose i njohur ndryshe me emrin Armand Andoni pas daljes nga burgu. Gjithashtu oficerët e policisë gjyqësore kanë nisur verifikimin e telefonit të tij, telefonata e fundit që e kanë marrë, nëse ka pasur kërcënime apo jo si dhe dëshmia kyçe sipas ekspertëve të grupit hetimor është ajo e 20 -vjeçarit i cili është plagosur kur është qëlluar me breshëri automatiku 37 -vjeçari, anëtari i grupit Kompas, Arjan Selimi. Ndërsa pritet përmirësimi i gjendjes shëndëtësore të të riut, i cili ruhet në spital nën masa të rrepta sigurie. Sipas të njëjtave burime mësohet se pista është ajo për larje hesapesh mes anëtarëve të bandave të trafikut të drogës, por nuk përjashtohen as pista të tjera. Arjan Selimi ose i njohur ndryshe me emrin Armand Andoni se bashku me Arjan Xhemalin janë të vetmit nga grupi kompas që gjykata e lartë e ka rikthyer çështjen për rigjykim, pasi për anëtarët e tjerë ka lënë në fuqi vendimin e apelit për krimet e rënda. Kështu Selimi ishte dënuar nga gjykata për krimet e rënda në Tiranë me 16 vjte burg, por organi superm e kishte rikthyer në maj të 2010 për rigjykim. Pikërisht sot në datën 27 shtator në gjykatën për krimet e rënda do të zhvillohej seanca gjyqësore në ngarkim të Arjan Selimit dhe Arjan Shabanit. Seanca u shty piëkrisht për shkak të vrasjes së Arjan Selimit dhe për ti lënë kohë prokurorit për të paraqitur aktet (çertifikatën e vdekjes, aktin e ekspertimit dhe kqyrjen e kufomës) që vërtetojnë vdekjen e të pandehurit Arjan Selimi, i cili u ekzekutua në hyrje të pallatit me pesë plumba mbrëmjen e së martës.