E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Vidohovës, prokuroria: “Burg për jetë Karajt”

Autori i Lajmit: Redaksia

Prokuroria e Korçës e përfaqësuar nga prokurori Edmond Shytka kërkoi dje dënim të përjetshëm për Besim Karajn, autor i vrasjes së tre vëllezërve në Vidohovë të Korçës.
Edhe pse, Karaj përmes avokatit të tij kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, prokurori ka kërkuar burg përjetë për Karajn, duke e cilësuar si shumë të rrezikshëm për shoqërinë.
Pretenca
Megjithëse akuza kërkoi burgim maksimal, autori i masakrës së Vidohovës pritet ti shpëtojë burgimit të përjetshëm. Gjykata e Korçës pranon zyrtarisht kërkesën e Besim Karajt për gjykim të shkurtuar, duke i dhënë kështu mundësinë autorit të tragjedisë së Vidohovës që të përfitojë ulje dënimi. Vendimi u mor në seancën e radhës të procesit në ngarkim të personit që mesditën e 29 janarit u mori jetën me armë zjarri tre vëllezërve Mulliri në fshatin Vidohovë të Devollit. Në masa të rrepta sigurie dhe pa prezencën e familjarëve të palës së dëmtuar për shkaqe sigurie, është zhvilluar dje seanca e radhës gjyqësore me dyer të mbyllura në ngarkim të të pandehurit Besim Karaj, i akuzuar për vrasje të trefishtë. Trupi gjykues i Shkallës së Parë Korçë, i kryesuar nga Gjergji Koço, vendosi të falte burgimin e përjetshëm për 40-vjeçarin nga Kruja që jetonte në Vidohovë të Devollit, duke i pranuar sipas dispozitave të Kodit Penal gjykimin e shkurtuar, që i siguron uljen me 1/3 e dënimit. Kërkesa ishte bërë nga pala mbrojtëse dhe vetë i pandehuri për masakrën e 29 janarit, ku u ekzekutuan pas një sherri për motive të dobëta xhelozie, tre vëllezërit Taulant, Xhilian dhe Etlevan Mulliri.
Pranimi i krimit
Vetë i dyshuari Karaj ka pranuar dy seanca më parë krimin e trefishtë dhe motivet e tij, duke rrëfyer se shkak ishte bërë lidhja jashtëmartesore që gruaja e tij kishte pasur me një nga viktimat, Taulant Mullirin. Edhe pse ia kishte falur tradhëtinë, më vonë Besim Karaj ka mësuar edhe për shtatzëninë e bashkëshortes me 25-vjeçarin nga Vidohova dhe vazhdimin e lidhjes se tyre jashtëmartesore. 40-vjeçari ka pretenduar se ishte fyer dhe ngacmuar shpesh nga dy prej vëllezërve, Taulanti dhe Xhiliani se po vazhdonin lidhjen dhe ditën e ngjarjes, ai në këto rrethana ka rrëmbyer armën automatike duke i vrarë të tre vëllezërit, të njohur dhe si djemtë e Liljana Mullirit, gruas që po vuan 25 vite burg për masakrimin e një 7-vjeçari në fshat po për motive të njëjta, lidhje jashtëmartesore me një të ri nga Vidohova.

Ky lajm është publikuar: 14/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›