E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim mjekut për rimbursimet

 

Etleva Delia

Zyra e Antikorrupsionit filloi procedim penal në gjendje të lirë për një mjek të Qendrës Spitalore "Nënë Tereza", i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe mitmarrje. Mjeku i Urgjencës së Spitalit Nr.1 të QSUT-së, Eduart Shota, njëkohësisht i punësuar edhe në një qendër private Diagnostifikimi, dyshohet se ka abuzuar me detyrën duke lëshuar receta rimbursimi në kundërshtim me ligjin. Sipas burimeve nga policia bëhet e ditur se denoncimi është bërë nga personeli i klinikës private, të cilët kanë zbuluar skandalin e recetave të rimbursimit. Menjëherë kanë nisur hetimet dhe është zbuluar se të paktën 10 persona ishin rimbursuar, falë "punës" së mjekut 41-vjeçar, Eduart Shota. Hetimet kanë nisur nga policia e Beratit, pasi edhe ngjarja ka ndodhur në klinikën private, që ndodhet në lagjen "Llukan Prifti" në Kuçovë. Nga ky veprim ka bërë që të përfitojnë ulje çmimi ilaçesh edhe persona që nuk janë në kategorinë e caktuar nga ISKSH. Në këtë mënyrë, persona jashtë kategorisë përfituese kanë blerë ilaçe, që në shumicën e rasteve e kalojnë çmimin e 70 mijë lekëve të vjetra. Kjo skemë është realizuar me ndihmën e mjekut kardiolog Eduart Shota, i cili u ka bërë rimbursim, siç dyshohet në këmbim të ryshfetit dhe njohjeve personale.
Rimbursimi abuziv
Të paktën dhjetë raste rimbursimesh të jashtëligjshme, të kryera nga një mjek i QSUT-së, janë zbuluar nga Policia e Beratit, në Qendrën private të Diagnostifikimit në Kuçovë. Dy javë më parë në zyrat e Antikorrupsionit është regjistruar një denoncim ndaj kardiologut Eduart Shota, nga personeli i klinikës "Ikeda", të cilët kishin dyshime për lëshimin e recetave të rimbursimit, ndaj personave që nuk ishin të regjistruar në kategorinë e atyre që përfitonin nga ISKSH. Oficerët e policisë kanë nisur hetimet rreth kësaj ngjarje dhe nuk ka zgjatur shumë duke u zbuluar fakte dhe prova që mjeku i Urgjencës së QSUT-së në Tiranë, i cili ishte njëkohësisht i punësuar edhe në klinikën private në Kuçovë, ka abuzuar me detyrën. Në mënyrë të jashtëligjshme, duke shpërdoruar detyrën dhe duke përfituar para, Shota ka lëshuar të paktën në 10 raste të dokumentuara, receta rimbursimi për persona të ndryshëm. Tashmë ndaj tij ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, të përcaktuar në Nenin 248 të Kodit penal.

Mjeku Shota, prej 6 muajsh me raporte
Drejtues të Qendrës Spitalore "Nënë Tereza" kanë pohuar se prej 6 muajsh mjeku Eduart Shota nuk ka qenë në punë, pasi ishte me raporte mjekësore. Ndërkohë, sipas policisë, kardiologu është i punësuar edhe në një klinikë private dhe sipas tyre rimbursimet mund të jenë bërë në klinikën në Kuçovë dhe jo në QSUT.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›