E Diel, 1 Nëntor 2026

Mima: Nëse s’rimbursojmë TVSH-në, mos paguani taksat

 

Fabiola Çela

Nëse tatimorët nuk do t’i rimbursojnë TVSH-në bizneseve brenda 30 ditëve, atëherë ditën e 31-ë biznesit i lind e drejta të ndërpresë pagesën e të gjitha taksave ndaj qeverisë. Kështu është shprehur dje zëvendësministri i financave, Florjon Mima, gjatë një takimi të organizuar dje me biznesin. Sipas Mimës rimbursimi në kohën e duhur i TVSH-së ka qenë një problem i ngritur gjithnjë nga bizneset. Në një situatë të tillë qeveria po shikon mundësinë e zbatimit të këtij opsioni, në mënyrë që tatimorët t’i rimbursojnë biznesit TVSH-ë në kohën e përcaktuar në ligj.
Takimi
Në takimin e djeshëm me biznesin ishte i pranishëm edhe kreu i qeverisë, Berisha. Ai premtoi një sërë lehtësirash për biznesin, të cilat sipas tij do të zbatohen gjatë mandatit të ardhshëm. “Së shpejti do të krijojmë Qendrën Kombëtare, sportelin unik për energjinë. Në mënyrë që ju të mos rendni javë e muaj të tërë pas kësaj apo asaj lejeje, ju siguroj se parimi ‘heshtja është miratim’ do të tejshkojë të gjithë veprimtarinë e kësaj administrate”, u shpreh kryeministri. Madje ai premtoi se në mandatin e ardhshëm qeveria do të miratojë ligjin që i hap rrugë funksionimit të Gjykatës Administrative për biznesin. “Gjykata Administrative është jetike për ju. Në raportin burokrat-biznesmen, unë qëndroj në anën e biznesmenit. Unë jam i vetëdijshëm në çdo rast mbi arbitraritetet që ju imponohen nga burokratët. Por kjo nuk mjafton, duhet Gjykata, duhen gjykatësit që t’i vënë ‘kufirin te thana’ qeverisë dhe burokratit. Ne bëmë ligjin më të mirë të mundshëm dhe ai do të kalojë. Unë ju garantoj se ligji i parë që do të kalojë në mandatin e ardhshëm do të jetë ligji i Gjykatës Administrative”, u shpreh kreu i qeverisë. Një vend të rëndësishëm në premtimet e tij zuri edhe sistemi fiskal. “Do të ketë lëvizje preferenciale të sistemit fiskal. Katër vitet që shkuan, ne nuk bëmë lëvizje preferenciale, selektive dhe bëmë mirë sepse i ulëm ato për të gjithë. Tani disa sektorë e kanë më të domosdoshëm. Parqet industriale detyrimisht do të jenë zona të sistemit të veçantë. Investimet në shëndetësi, investimet në arsim, do të jenë të çliruara nga një seri taksash. Sikundër do bëjmë çdo përpjekje për partneritetin publik privat, që gjer tani në fushën e investimeve kryeson me epërsi të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, në fushën e turizmit deri diku, akoma nuk ka marrë shpejtësinë e plotë në fusha të tjera. Qeveria do të studiojë, duhet të hapet ndaj jush për këtë partneritet në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike” tha ai. Në fjalën e tij Kryeministri nuk la pa përmendur edhe krizën globale. “Unë nuk them se nuk ka pasur pasoja, por, absolutisht, jemi shumë larg vendeve në krizë për sa i përket aspektit të krizës. Ne kemi një rënie të eksporteve, nga 5 deri në 8 për qind sipas muajit, por, nga ana tjetër, ne nuk kemi asnjë kokëdhimbje për buxhetin. Ne kemi të ardhura 8 apo 10 për qind më shumë, sesa vitin e kaluar”, u shpreh ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›