Themelohet, organizata e Ushqim-Pijeve
Është themeluar dje organizata e bizneseve ushqim-pijeve(BUP). Gjatë një mbledhje të zhvilluar dje, bizneset më kryesorë të kësaj fushe kanë zgjedhur Kryetarin e Organizatës si dhe pesë anëtarët e komitetit. Luan Bregasi do të jetë kryetari i kësaj organizate. Industria dhe tregtia e mallrave ushqimore dhe pijeve është nga më të zhvilluarat në vend. Për të përfaqësuar sa më denjësisht zërin e biznesit të ushqim-pije, disa prej drejtuesve të këtyre bizneseve morën nismën për të krijuar një organizatë të fortë, të bizneseve me markë në fushën e ushqimit dhe pijeve. Për këtë iniciatorët kanë pasur edhe mbështetjen e CIAA (konfederata e industrive të ushqimit dhe pijeve-konfederata e industrive Agro-Ushqimore të BE-së). Kjo është organizata sektoriale përfaqësuese anëtare e BusinessEvropë-zëri i biznesit në Evropë. Që në momentin e themelimit kjo organizatë do të jetë anëtare e CIAA-s dhe e BisnessAlbania-zëri i Shqipërisë. Qëllimi i krijimit të kësaj organizate është nxitja dhe favorizimi i solidaritetit midis biznese të sektorit të ushqim-pijeve në kontekstin e realitetit të lirë social dhe ekonomisë së tregut. Mbikëqyrja e interesave të biznesit të sektorit të ushqim-pije, kundrejt administratës shtetërore dhe institucioneve të tjera publike e private, duke i përfaqësuar në të gjitha organet shtetërore, publike dhe qeveritare, vendim-marrëse, ose konsultative, aktuale ose që do të krijohen në të ardhmen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe brenda normave të statusit. Të nxisë, promovojë asistojë dhe favorizojë veprimtarinë jashtë vendit të sipërmarrjes dhe bizneseve shqiptare të ushqim-pijeve, si dhe të nxisë dhe të përshpejtojë zhvillimin nëpërmjet futjes së investimeve të huaja direkte.