Vrasja e Xhindit, prokuroria 20 të dyshuar në përgjim
TIRANË- Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi përqendrohen në 20 persona, të cilët rezultojnë se kanë lëvizur mbrëmjen e 2 majit pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtarë pranë organit të akuzës, të cilët shtuan se hetimet janë fokusuar në identifikimin dhe verifikimin e 20 numrave të kompanive lëvizëse duke i zbardhur tabulatet e thirrjeve hyrëse dhe dalëse natën e 2 majit. "Nga këqyrja dhe verifikimi i antenave të kompanive celulare, ka rezultuar se mbrëmjen e 2 majit 2009, kohë kur është ekzekutuar deputeti Fatmir Xhindi pranë banesës së tij kanë lëvizur 20 persona që mbanin numra të ndryshëm telefoni.
Për këto numra, i është kërkuar kompanive celulare të zbardhin identitetin e pronarëve të këtyre numrave dhe bisedat që ata mund të kenë kryer një orë para dhe pas vrasjes së Xhindit. Kompanitë celulare kanë sjell një material të zgjeruar, që kërkon një kohë të gjatë për të kryer të gjitha verifikimet e mundshme dhe për të arritur në zbardhjen e ndonjë piste apo personi konkret"-thanë burimet pranë akuzës. Sipas tyre, të gjithë këta persona po përgjohen dhe pritet që në ditët në vazhdim të merren në pyetje, duke i kërkuar të arsyetojnë lëvizjen pranë banesës së Xhindin natën e vrasjes.
Ndërkohë, zyrtarët të lartë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, konfirmuan dje për "Shekullin" se për vrasjen e deputetit Xhindi nuk ka një pistë të caktuar për motivin e vrasjes. "Të gjitha pistat e hetimit për zbardhjen e motivit të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi kanë rënë, pasi nuk rezultonin të provueshme. Për momentin po hetohet për disa persona, por, pa ditur një motiv të arsyeshëm për shkakun e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e datës 2 maj të këtij viti në Roskovec të Fierit"-tha njëri nga drejtuesit e institucionit të akuzës. Gjithashtu, këto burime konfirmuan se nga verifikimi i të gjitha pistave të ngritura deri më tani dhe personave të dyshuar që janë marr në pyetje, institucioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda që po heton dosjen nuk ka arritur ndonjë rezultat për zbardhjen e ngjarjes.
"Janë kryer hetime në të gjitha pistat e mundshme, që nga ajo e konfliktit të pronësisë, biznesit të mundshëm, aspektit moral apo ndonjë lidhje jashtë martesore, por të gjitha këto janë rrëzuar pasi nuk ka pasur prova të mjaftueshme që forcojnë bindjen se vrasja e deputetit Fatmir Xhindi mund të jetë kryer për ndonjërën nga këto motive"-thanë burimet pranë grupit hetimore të dosjes. Sipas akuzës, mendohet se vrasja e deputetit Xhindi është kryer nga një profesionistë, i cili nuk ka lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes, përveç gëzhojave që kanë dal nga tyta e armës automatik të tipit "Kallashnikov" që është përdorur në këtë vrasje. Vrasja e Xhindit, prokuroria 20 të dyshuar në përgjim
Deputeti 49- vjeçar, Xhindi, mbeti i vrarë në një pritë pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit, ndërsa ai sapo kishte zbritur nga makina pas parkimit të mjetit. Ai u qëllua nga një armë zjarri me 9 plumba, ndërsa në vendin e ngjarjes, policia gjeti 15 gëzhoja dhe disa predha të qitura nga një armë automatike "Kallashnikov". Vetëm pak minuta më vonë, deputeti ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Fierit, ku po dërgohej nga të afërmit e tij.