E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi nis punën, fluks projektligjesh

Legjislatura e re do të jetë tepër e ngarkuar, duke nisur që nga krijimi i qeverisë e deri tek një sërë ligjesh të mbetur pezull

TIRANË - Fillimi i punimeve të Kuvendit të ri të Shqipërisë, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, pritet të shoqërohet nga një agjendë e ngjeshur pune të institucionit legjislativ më të rëndësishëm në vend. Hapja e sesionit të ri parlamentar në ditët e para të muajit shtator, do të pasohet me zhvillime të rëndësishme politike që lidhen me përmbushjen e reformave në kuadër të proceseve integruese të vendit. Krijimi i qeverisë së re dhe ngritja e organeve të reja të Kuvendit, i paraprijnë punës për miratimin e ligjeve që do të synojnë realizimin e reformave në fusha të ndryshme, me qëllim liberalizimin e procesit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Duke iu referuar deklarimeve të Kryeministrit Sali Berisha, ndër projektligjet e para që do të hyjë në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit do të jetë ai që u heq zyrtarëve shtetërorë mbajtjen e makinave personale, duke shkurtuar kështu shpenzime të konsiderueshme administrative. Reforma e pronës do të jetë një tjetër synim i qeverisë për të rritur ekonominë e vendit dhe veçanërisht prodhimin vendas.

Nuk mbeten jashtë vëmendjes edhe projektligje të tjera, të mbartura nga sesionet e mëparshme dhe që presin kalimin e tyre nga deputetët e rinj të Parlamentit shqiptar. 140 parlamentarët e rinj, të mandatuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të nisin ta ushtrojnë zyrtarisht detyrën e tyre pas betimit në Kuvend, në seancën hapëse të punimeve të legjislaturës së re. Sipas Kushtetutës (neni 67), Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, (2 shtator), por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›