Vrasja e arkëtares, policia: E njëjta armë qëlloi Rrapo Sinanaj

Arma me të cilën u vra dje arkëtarja e filialit të "NBG Bank" Leonora Kaloçi është përdorur edhe në vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj ngjarje e regjistruar në 21 tetor të vitit të shkuar në rrugën Ferit Xhajko në kryeqytet.
Në një konferencë për shtyp policia e kryeqytetit bëri me dije se arma e cila është përdorur për vrasjen e arkëtares Leonora Kaloçi dhe plagosjes së rojes Skënder Elmazi është përdorur edhe në një tjetër krim.
Në këtë linjë u theksua se në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Tiranë është ngritur një Grup i Posaçëm hetimor të cilët po punojnë intensivisht edhe me Drejtorinë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale.
Nga hetimet paraprake, rezulton se nga ekzaminimi kriminalistik–balistik, i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, arma e përdorur në ngarjen e djeshme, është përdorur edhe në vjedhjen me armë të argjendarisë me pasojë vdekjen e pronarit shtetasit Rapo Sinani, ngjarje e ndodhur në Tiranë më datë 21 Tetor 2011.
Argjendari Sinani u vra në muajin tetor, ndërsa sipas policisë thuhet se në momentin e krimit viktima 60 vjeçari Rrapo Sinani ka qenë në dyqanin e tij duke shitur kur autori ka hyrë brenda i maskuar dhe pak para ngjarjes ka pasur një konflikt mes tij dhe Sinanit, kjo pasi autori i krimit ka tentuar të grabisë varëset sasinë e parave si dhe pajisjet e tjera me vlerë në argjendari, ndërsa viktima e ka kundërshtuar.
Menjëherë pas rezistencës autori mësohet ta ketë qëlluar me plumb në kokë dhe në trup pronarin e argjendarisë, duke i provokuar edhe vdekjen e menjëhershme.
Uniformat blu sqarojnë më tej se skema e përdorur ditën e djeshme në grabitje është e njëjtë me atë të vrasjes së argjendarit, ku grabitësi thuhet se ka qenë i armatosur, i cili kanë hyrë dhunshëm në mjediset e bankës NBG dhe kanë shtënë me armë zjarri ndaj policit që ruante bankën dhe më tej arkëtaren, pasi këta të fundit kanë bërë rezistencë për dhënien e parave.
Ndërkaq policia e kryeqytetit ka vënë në dispozicion 10 mijë euro shpërblim për personin që do të japë informacione të vlefshme, që të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët vranë mesditën e së martës arkëtaren e bankës NBG Leonora Kaloçi.