Vrasja e atletit, thahet pusi për armën e krimit
Vrasja e trajnerit të atletikës, Hasan Rakipi, mbetet ende e pazbardhur plotësisht, pasi ende nuk është gjetur arma e krimit. Policia dyshon se ajo është hedhur në një pus pranë banesës së autorit të dyshuar, Avni Goca. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në fillim të muajit shkurt, kur pranë një lokali u qëllua për vdekje ish-atleti 56-vjeçar, i cili sapo kishte hipur në mjetin e tij pranë fushave të sportit në Kamzë. Sipas policisë, disa orë më vonë u arrestua autori i dyshuar i ngjarjes, të cilit iu kapën në banesë një sërë municionesh, por nuk iu gjet arma e krimit, si dhe ai nuk e pranoi vrasjen e Rakipit. Në këto kushte, policia e vuri në pranga Avni Gocën për armëmbajtje pa leje dhe si i dyshuar për vrasje. Deri dje, policia nuk ka gjetur prova të tjera, por ka ngritur dyshime për vendin se ku mund të ndodhet arma e krimit. Grupi hetimor dyshon se ai mund ta ketë hedhur armën në një pus pranë banesës së tij. Për këtë arsye, një grup pune do paraqitet sot në vendin e ngjarjes, sipas një urdhri të dhënë nga prokuroria dhe do ta thajë pusin me shpresën se brenda ndodhet arma e krimit dhe vërtetohet fajësia e Gocës. Sipas të dhënave policore, Hasan Rakipi, atlet, është vrarë rreth orës 18:00 të datës 6 shkurt pranë fushave të sportit në Kamzë, në periferi të Tiranës. 56-vjeçari është qëlluar me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij. Sipas dëshmitarëve okularë, viktima ndodhej në automjetin me targa TR6534N, kur disa persona e qëlluan për vdekje. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët për të zbuluar autorët e saj. Ata kanë shpjeguar se viktima sapo kishte hipur në automjet, pasi më parë kishte qëndruar në një lokal në afërsi të fushës së sportit në Kamzë. Ndër ta u shoqërua edhe Avni Goca, i cili është pronari i lokalit, ku kishte qëndruar Rakipi. Ai deklaroi se nuk dinte gjë për vrasjen e tij, pasi ndodhej në lokal, por gjatë kontrollit në banesë iu gjetën shumë fishekë dhe u ngritën dyshimet se ai mund të jetë autori i vrasjes. Megjithatë, ai nuk e pranoi asnjëherë këtë krim dhe prokuroria nuk ka mundur ta dokumentojë plotësisht këtë ngjarje, duke kërkuar medoemos gjetjen e armës së krimit.
#