E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHISH, pajisje të re për dyfishimin e përgjimeve

Shërbimi Inteligjent mund të përgjojë tani deri në 140 numra telefonikë

Shërbimi Informativ Shtetëror do të ketë mundësi tanimë të përgjojë edhe 70 abonentë më shumë, kjo për faktin se në ambientet e tij është vendosur një aparaturë, e cila rrit ndjeshëm numrin e telefonave të përgjuar njëkohësisht. SHISH ka pasur një aparaturë përgjimi telefonik, e cila kishte kapacitet limit deri në 70 numra. Më marrjen e pajisjes së re në të tërën, Shërbimi Inteligjent mund të përgjojë tanimë deri në 140 numra. Burimet thanë se pajisja e vendosur në SHISH është donacion i huaj, pasi institucioni ka një buxhet të limituar dhe kostoja e aparaturave është mjaft e lartë. Përveç pajisjes që rrit kapacitetin e përgjimeve, me të ka ardhur edhe pajisja shtesë për transkriptimin në moment të bisedave të përgjuara. Mësohet se Institucioni i Shërbimit Inteligjent Shqiptar ka marrë së fundmi edhe pajisje të cilat përgjojnë postën elektronike të personave që dyshohet se kryejnë aktivitet kriminal. Megjithatë specialistët mendojnë se përveçse rritjes së kapacitetit të përgjimeve duhen edhe operatorë për të bërë deshifrimin e bisedës që në më të shumtën e rasteve janë të koduara, të shprehura në gjuhën e trafikantëve. E gjithë teknika e re është përqendruar në zyrat qendrore të SHISH dhe është vënë në punë nga specialistë të trajnuar të këtij institucioni. SHISH-i është organi më rigoroz në zbatimin e ligjit “Për Përgjimet e Telekomunikimeve”, duke kërkuar lejet me materiale të kopsitura. Dokumentacioni i marrjes së të drejtës për përgjim, që i mundëson kryerjen e këtij procesi institucionit të shërbimit inteligjent, është tepër sekret.

Procedura

Ligji “Për përgjimin e telekomunikimeve” i ka dhënë të gjitha kompetencat prokurorit të Përgjithshëm për lejimin ose jo të përgjimit. Institucioni i SHISH-it nuk operon asnjëherë për të realizuar këtë proces pa aprovimin e kreut të akuzës. Shërbimi Informativ Shtetëror ka të drejtë të kërkojë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tij ligjore. Kërkesa për përgjim hartohet në dy kopje, një prej të cilave depozitohet pranë Prokurorit të Përgjithshëm dhe një mbahet nga vetë SHISH. Kërkesa që bëhet në emër të institucionit përmban emrat dhe funksionet e punonjësve që ndjekin procesin informativ-gjurmues, gjeneralitetet dhe adresën e subjektit që do të përgjohet ose ndiqet, vendin ku ndodhet mjedisi i përgjimit. Kërkesa që bën SHISH në prokurori përmban edhe përshkrimin e telekomunikimeve që do të përgjohen, të dhënat për operatorin e telekomunikacionit që i ofron shërbim subjektit që do të përgjohet, arsyet e përgjimit, si dhe bazën dokumentare ose materialin informativ ku mbështetet kërkesa për përgjim. Kreu i SHISH, për të bindur Prokurorin e Përgjithshëm, vërteton me argumente se përgjimi është i domosdoshëm në situatën e krijuar dhe se të dhënat që kërkohen nuk mund të sigurohen në rrugë dhe mjete të tjera. Në kërkesë shënohet edhe afati kohor brenda të cilit kërkohet të bëhet përgjimi. Pasi ka shqyrtuar argumentet e kreut të SHISH, Kryeprokurori i jep kërkesë-përgjigje pozitive ose negative. Vendimi për lejimin ose jo të përgjimit jepet me shkrim dhe hartohet në tri kopje. Një kopje e vendimit që miraton kërkesën mbahet në bërthamën komanduese elektronike të prokurorisë, tjetra në Sektorin e Përgjimeve në SHISH dhe e treta në institucionin që ka bërë kërkesën. Vendimi për përgjim është i vlefshëm për brenda rrjeteve që ofrojnë shërbim në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për përgjimin e telefonave të personave që dalin jashtë vendit, përgjimi bëhet vetëm në rastet kur ka marrëveshje dypalëshe.

Vendimi

Kur Prokurori i Përgjithshëm jep aprovimin për përgjim, ai i bën të qartë SHISH-it detyrimin që ka sektori i përgjimeve, si institucioni që ka bërë kërkesën, gjeneralitetet dhe adresën e subjektit në proces-përgjim ose në ndjekje. Kryeprokurori i saktëson SHISH-it afatin e përgjimit, ku përcaktohet data dhe ora e fillimit dhe e mbarimit dhe operatorin e telekomunikacionit që siguron komunikimin, si dhe numrin telefonik të subjektit të përgjimit. Nëse vihet re se personi që do të përgjohet ndryshon numrin ose merr numra të tjerë përveç atij që disponon, nuk përsëritet kërkesa për përgjim. Në këtë rast institucioni shtetëror informativ që ka kërkuar përgjimin është i detyruar të njoftojë me shkrim për këto ndryshime Prokurorin e Përgjithshëm dhe Sektorin e Përgjimeve në SHISH. Afatet e përgjimit në këtë rast mbeten të pandryshuara. Sektori i Përgjimeve në SHISH realizon vetëm proceset teknike të përgjimit, nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit për llogari të institucioneve shtetërore informative, pasi është marrë vendimi për përgjim sipas ligjit. Punonjësit e Sektorit të Përgjimeve në SHISH fillojnë punën pas njoftimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Realizimi i përgjimit nga ky sektor bëhet nëpërmjet sistemeve të instaluara për këtë qëllim. Sistemi i përgjimit kurdoherë duhet të jetë i përbërë nga dy pjesë, të cilat nuk mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›