E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi politik, ps-e?

Ervin Bushati * 

Deri më sot partitë kryesore në vend janë paraqitur me një statut si fillim, dhe pastaj me liderin karizmatik për gjithçka që mendohet se plotëson profilin politik të forcave përkatëse. Me gjithë punën dhe vullnetin e pashtershëm personal për të pozicionuar diku në spektrin ideologjik këto forca, ato asnjëherë nuk mund të quhen të mjaftueshme për një ofertë serioze ndaj elektoratit shqiptar.  Eshtë domethënës fakti që asnjë forcë politike sot nuk ka një program politik të shkruar, të miratuar dhe të publikuar për publikun e gjerë që të jetë i aftë të gjykojë se cila është alternativë më e mirë në treg.
Të gjitha partitë serioze në Europë kanë një program politik që hartohet një herë në 2-3 dekada. Ky program parimesh përcakton rrugën se ku do të ecë kjo parti apo qëndrimet që do të mbajë lidhur me çështjet kryesore që has shoqëria në zhvillimin e pandalshëm drejt një jete më cilësore dhe të drejtë. Hartimi i një programi politik është një proces i gjatë hulumtimi, diskutimi, konsultimi dhe konvergimi, që gjithmonë kushtëzohet nga fryma e përbashkët e kolegjialitetit.
Bazuar në eksperiencën e shumicës së organizatave politike europiane, mendoj që duhet arritur në një program orientimi politik që deri më sot Partia Socialiste (ashtu si dhe PD) nuk e ka: me gjithë rëndësinë organike që mbart, statuti nuk mund të quhet i tillë.
Kushdo që sot përkrahë një forcë politike, niset kryesisht nga figura e liderit dhe pastaj mëson dhe “peshën” e pashmangshme të statutit. Me gjithë respektin për rregullat bazë mbi organizimin e një force politike, nuk më duket serioze që në rast krize (dhe jo në prag zgjedhjesh!!) në një parti sillet në lojë një artific si statut: që nuk ka të bëjë as me kontekstin politik dhe as me strategjitë kryesore në lojë. Shpeshherë, diskutime pa fund mbi statutin vetëm sa atrofizojnë logjikën dhe mjegullojnë në mënyrë fatale vendimmarrjen në raste si këto që po kalojmë. Një ndjesi e tillë kompleksi vjen kur nuk gjendet forca për të prerë nyjën Gordiane apo për t’i dhënë drejtim një aksioni të caktuar politik. Programi politik duhet konsideruar si program bazë/ideologjik për të paraqitur para partisë si fillim dhe më pas elektoratit shqiptar. Shumë pika dhe prioritete janë totalisht për t’u diskutuar nga specialistët të fushave përkatëse, derisa në fund të arrihet në një vendimmarrje të gjerë dhe të mbështetur në një arsyetim kolegjial. Avantazhet e prezantimit të këtij program politik janë disa dhe të pazëvendësueshme, sepse deri më sot asnjë nuk mund të thotë me siguri se çfarë i ndan sot dy rrymat politike sot në Shqipëri. Duke lënë mënjanë naivitetin, duhet të pranojmë se përveç antagonizmit ndërmjet dy liderëve kryesorë, pak momente bëjnë ndarjen në ideologjinë, në sjelljen elektorale dhe qeverisëse të forcave përkatëse në arenën politikë në vend. Kjo do të shmangte në një farë mënyre dhe garën ekstreme personale, e cila nuk i ndahet demokracisë së brishtë shqiptare, dhe që për ironi historike përfundon me përgjegjësi kolektive. Një program politik apo ideologjik qoftë ky, do të ravijëzonte për herë të parë prioritetet politike të PS dhe të spektrit të majtë në përgjithësi. Gjithashtu, ky program do të shërbente si një mjet identifikimi dhe koherence për idetë dhe qëndrimet e anëtarëve ekzistues, dhe të rinj në të ardhmen. Kështu do të identifikohej më qartë qëndrimi/opinioni ynë para elektoratit të gjerë. Gjithashtu, programi politik do të ishte i një rëndësie të pazëvendësueshme, sepse hap rrugën për një program qeverisës më të orientuar, strukturuar dhe efektiv në të ardhmen. Një program qeverisës duhet të bazohet mbi një grup parimesh kryesore për të fituar identitetin dhe peshën që i takon në rast të një përballje të pashmangshme elektorale. Eshtë e rëndësishme për një votues të vlerësojë seriozitetin dhe koherencën politike të çdo force që nuk udhëhiqet nga përfitimet e momentit apo pazaret e radhës. Një arsye e fundit, por jo pa rëndësi, është se do të shmangte (ose minimizonte) në të ardhmen çdo situatë të pakëndshme pluskimi elektoral kur një forcë votohet si e majtë dhe pastaj trafikohet si e djathtë. Një program i qartë do të orientonte parimet kryesore dhe në njëfarë mënyre do të parapërcaktonte aleancat më natyrale për një forcë politike serioze. Për të gjithë arsyet e mësipërme dhe shumë të tjera që kërkojnë një diskutim më të gjerë, është e një rëndësie të veçantë në këtë pikë të zhvillimit tonë demokratik që partitë kryesore në garë për pushtet të kenë mundësinë të paraqesin fizionominë e tyre politike: përtej karizmës dhe vullnetit apo vizionit të kryetarit që përfaqëson një parti.
* Nënsekretar i Programit PS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›