E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët: Jemi kundër ligjit për Spiunët

Shoqata e gjyqtarëve ka vlerësuar këtë nismë të maxhorancës si të papajtueshme me Kushtetutën dhe Ligjet

TIRANË- Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka kundërshtuar dje hapur “ligjin e spiunëve” i cili pritet që të votohet sot në Kuvend. Sipas kryetares së kësaj shoqate, gjyqtares Manjola Bejleri, ky projektligj i reduktuar vetëm në verifikimin “personave” që punojnë në sistemin e drejtësisë dhe drejtorëve të shkollave është antikushtetues dhe i kërkon parlamentarëve të mos e miratojnë. “I kërkojmë deputetëve që për problemet që shfaq projektligji “për pastërtinë e figurave..” në disa dispozita të tij, e veçanërisht të atyre që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të mos miratohet”,- thuhet në apelin e Shoqatës.

Krerët e shoqatës kanë pohuar se janë pro figurës së pastër, integritetit moral e profesional të gjyqtarit dhe të çdo nisme ligjore që e rrit këtë garanci e që ka lidhje të drejtpërdrejtë me pavarësinë e pushtetit gjyqësor, dhe jo vetëm për funksionarët e gjyqësorit, por edhe për të gjithë funksionarët e tjerë të shtetit, pa bërë asnjë dallim. Por ata shtuan se ky proces duhet të jetë në pajtim me parimet e Kushtetutës, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit dhe standardet ndërkombëtare. “Ky proces duhet të përmbushë standardin demokratik të gjithëpërfshirjes dhe marrjes së mendimit jo vetëm të të gjithë subjekteve që trajtohen në këtë ligj por edhe të konstitucionalistëve, të grupeve e organizatave të tjera të shoqërisë civile. Ky projektligj për “spiunët” duhet pa diskutim të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe pavarësinë e Gjyqësorit. Në këtë projektligj parashikohen dispozita të rëndësishme që kanë të bëjnë me statusin e gjyqtarit dhe përcaktojnë kushte për vazhdimin e marrëdhënieve të tij të punës si gjyqtar. Kujtojmë këtu se Kushtetuta ka parashikuar qartë kriteret dhe kushtet për të qenë Gjyqtar dhe së bashku me ligjet e tjera ka parashikuar dhe rastet e lirimit apo shkarkimit nga detyra të gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Në këto dispozita janë parashikuar gjithashtu edhe organet kompetente që vendosin për emërimin apo shkarkimin e gjyqtarëve”,- thuhet ndër të tjera në deklaratën e SHKGJ-së. “Me miratimin e projektligjit “Për pastërtinë e figurave…” krijohet dhe një organ i ri, tërësisht politik, i cili përcakton të qenit ose jo gjyqtar që është Autoriteti i Kontrollit të Figurave, autoritet ky i cili në mënyrë të çuditshme, vihet mbi të gjitha organet kompetente për shkarkimin e gjyqtarëve”,-tha Bejleri në fjalën e saj para mediave. Sipas kryetares së SHKGJ-së, për të disatën herë ky organizëm nuk përfillet, duke mos afruar vetë gjyqtarët në diskutimin për përpilimin e këtij projektligji ku parashikohet të vendoset lidhur me organizimin, funksionimin dhe statusin e tyre. “Kjo mënyrë të proceduari është kthyer në një vazhdë, e cila vazhdon të thellohet, me shqyrtimin e miratimin me një shpejtësi të çuditshme të disa ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë direkt me gjyqësorin. Duke mos respektuar asnjë standard demokratik të gjithëpërfshirjes brenda një kohe të mjaftueshme për diskutimin e tyre, natyrshëm që vihet në diskutim qëllimi që synon të arrijnë dhe marrëdhëniet juridike që kërkojnë të realizojnë ligjbërësit. Ideja e projektligjit për verifikimin e figurave të pushtetarëve ka 15 vjet që është në sirtarin e Kuvendit dhe të të gjitha partive politike, dhe ky Kuvend nuk gjen as 15 minuta kohë për ta konsultuar me Pushtetin Gjyqësor”-tha Bejleri e cila shprehu indinjatën e gjyqtarëve që përfaqëson.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›