Trafiku i pistoletave, dërgohet për gjykim dosja
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas dy muajsh hetime arriti të zbardhë dhe të provojë “fajësinë” e gjashtë të pandehurve, të cilët brenda 38 ditëve sollën nga Kosova dhe i shitën në vende të ndryshme të Shqipërisë 25 pistoleta me një çmim prej rreth 3500 eurove. Sipas kërkesës për gjykim, gjashtë të pandehurit: Kujtim Laçi, Afrim Stafuka, Mustafa Gashi, Edmond Kajo, Nertil Fejzullahu dhe Marjus Buda kanë kryer veprat penale të “trafikut të armëve dhe municioneve luftarak” në bashkëpunim më shumë se një herë. Sipas dosjes me numër procedimi 71 të vitit 2008, që tashmë është dorëzuar pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda për gjykim, renditen episodet e trafikut të 25 pistoletave nga të pandehurit në momente dhe bashkëpunim të ndryshëm mes tyre.
“Nga hetimi në tërësi i këtij procedimi penal rezulton se: pas verifikimit të kryer se dy të pandehurit Kujtim Laçi dhe Afrim Stafuka merreshin me trafik të pistoletave, policia e shtetit me urdhër të Gjykatës ka organizuar një agjentë të kamufluar për të porositur tek të pandehurit disa pistoleta. Kështu, pas kontakteve me të pandehurit “agjenti” fillimisht me datë 15 gusht 2008 porosit një pistoletë të cilën ia sigurojnë dhe shesin të pandehurit, duke vazhduar më pas me shitjen e katër pistoletave të tjera me datë 18 gusht dhe me datë 22 gusht është bërë dorëzimi i tretë i pesë pistoletave të ardhura nga Kosova, që i janë shitur agjentit me një çmim prej 23 mijë lekë të reja për copë. Në momentin e dorëzimit të pesë pistoletave të fundit të tipit “Minibloë” e “Zastava” të porositura nga agjenti i policisë, kolegët e këtij të fundit në vendin e quajtur “mbikalimi” në Fushë Krujë kanë ndërhyrë duke arrestuar dhe sekuestruar pistoletat”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas saj, mësohet se i pandehuri Laçi, para se të arrestohet, ka kontaktuar me të pandehurin Mustafa Gashi duke i kërkuar të gjejë treg për të blerë pistoleta që silleshin nga i arrestuari kosovar Adem Berisha i cili ndodhet i prangosur në Kosovë në kuadër të këtij operacioni të përbashkët. I pandehuri Gashi, mësohet se pasi kishte gjetur blerës të 15 pistoletave i porosit ato të sillen nga Kosovari Adem Berisha. Ky i fundit ka hyrë në territorin shqiptar më 20 shtator dhe pasi takohet me Gashin nisen për në Berat ku do t’ia shisnin 10 pistoleta invalidit i klasit të parë Edmond Kajo, me të cilin janë takuar në vendin e quajtur “Ura e Kuçit” ku kanë bërë dorëzimet. Pas kësaj shitjeje, policia ka pritur largimin e dy shitëse dhe ka arrestuar blerësin Kajo. Po atë ditë, në kthim e sipër kosovari Berisha dhe Gashi në qytezën e Vorës ia kanë shitur dy blerësve të ri, 5 pistoleta me çmimin 110 euro për copë. Pas dorëzimit, policia ka ndërhyrë duke i arrestuar të tre të pandehurit, Mustafa Gashin, Nertil Fejzullahu dhe Marjus Buda, ndërsa kosovarin Berisha ia kanë dorëzuar policisë së Kosovës të cilët e kanë arrestuar bashkë me tetë persona të tjerë në operacionin e koduar “Alberta”. TË PANDEHURIT:
Kujtim Laçi, dt. 16.06.1961, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë
Afrim Stafuka, dt. 02.12.1969, lindur dhe banues në Fushë-Krujë
Mustafa GASHI, dt. 20/05/1962 lindur e banues në Fushë Krujë,
Edmond KAJO, dt 10/04/1968 lindur e banues në Berat
Nertil FEJZULLAU, dt 25/08/1983 lindur në Gramshdhe banues
Marjus BUDA , dt 23/08/1982 lindur në Fier dhe banues në Tiranë