Familja e anglezit refuzon ngushëllimet
• Të afërmit e shtetasit britanik që u masakrua nga dy shqiptarë në Shëngjin të Lezhës refuzojnë ngushëllimet e prindërve të personave të arrestuar si autorë të krimit.Roland Nikolli/ LEZHEPrindërit e Mario Pjetrushit, njërit prej personave të arrestuar për vrasjen e 23-vjeçarit britanik kanë tentuar dje t’u shprehin ngushëllimet të afërmve të viktimës. Ata kanë kërkuar të vizitojnë familjen e viktimës dhe t’u shprehin atyre ngushëllimet për humbjen e djalit të tyre. Por familjarët e britanikut 23-vjeçar, Edward Craythorne, i cili u gjet i masakruar në një pus në periferi të Lezhës nuk kanë pranuar të presin në shtëpi të afërmit e të arrestuarit për vrasjen. Sipas burimeve të konfirmuara, familja e Mario Pjetrushit para se të afrohej tek banesa ku qëndrojnë britanikët kishte kërkuar të bënte një vizitë ngushëllimi aty, mirëpo përgjigjja ka qenë negative. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ish-bashkëshortin e motrës së britanikut të vrarë. Ai kishte kërkuar të vizitonte familjen e viktimës dhe t’i shprehte ish-gruas ngushëllimet për humbjen e vëllait të saj, por familja britanike ka refuzuar edhe këtë kërkesë. Sipas burimeve të afërta me familjen e të riut britanik Edward Craythorne, ata kanë vendosur që trupi i pajetë i 23-vjeçarit të masakruar të prehet në varrezat e Lezhës. Ceremonia e përcjelljes në banesën e fundit pritet të bëhet në ditët e para të javës së ardhshme. Arlind Vukaj dhe Mario Pjetrushi, janë dy personat e arrestuar nga policia si autorë të masakrimit dhe vrasjes së shtetasit britanik. Ata dyshohet se kanë pasur për qëllim ta grabisin viktimën, të cilin e kanë mashtruar duke arritur ta largojnë nga qyteti dhe të lëvizin bashkë me të në drejtim të vendit ku është kryer masakrimi i Edward Craythorne. Vrasësit në gjykatëGjykata e Lezhës vlerësoi dje masën e sigurisë ndaj dy personave të arrestuar për akuzën e “vrasjes” ndaj shtetasit britanik. Arlind Vukaj dhe Mario Pjetrushi dolën dje para gjykatës, ndërsa prokurori i çështjes u komunikoi atyre akuzën e “vrasje me paramendim në bashkëpunim”. Për këtë akuzë, prokurori kërkoi masën e sigurisë arrest me burg pa afat, që është lënë në fuqi nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë. Sipas burimeve zyrtare, dy të arrestuarit kanë pranuar autorësinë e vrasjes së shtetasit britanik. Ndërkaq, në një deklaratë të policisë së Lezhës të bërë publike ditën e djeshme, thuhet se dy personat e arrestuar për masakrimin e të riut nga Anglia, kanë precedentë penalë në fushën e grabitjeve me dhunë. Ky fakt përforcon më shumë versionin e hetimeve të deritanishme, sipas të cilave, dy të akuzuarit kanë pasur për qëllim përfitime materiale në momentin që kanë mashtruar viktimën, duke e çuar atë pranë një banese të braktisur në fshatin Mal të Shëngjinit. Të arrestuarit akuzohen se aty e kanë qëlluar me sëpatë në kokë viktimën, i cili ka rënë përtokë. Më pas britaniku është qëlluar me sëpatë në grykë dhe është hedhur në një pus dhe i kanë zënë grykën, me qëllim që viktima të mos zbulohej nga banorët e zonës apo nga policia. ViktimaI riu britanik, i cili u vra në Shëngjin, kishte mbërritur në Lezhë prej disa muajve për të vizituar motrën dhe nënën e tij, të cilat banojnë në këtë qytet. Rreth 20 ditë më parë ai është mashtruar nga vrasësit, të cilët e kanë çuar në një fshat të Shëngjinit dhe më pas e kanë masakruar, duke e qëlluar me sëpatë dhe mjete të tjera rrethanore. GrabitjaPasi e kanë mashtruar duke i thënë të fshiheshin nga policia, pasi do të pinin cigare hashashi, dy autorët e krimit e kanë masakruar shtetasin britanik. Më pas ata kanë kontrolluar në xhepat e tij për ndonjë shumë parash, kartën e kreditit dhe çelësat e shtëpisë me qira në Lezhë, ku besohet se kanë pasur për qëllim të kryejnë grabitjen e vlerave monetare. Policia: Vrasësit e britanikut kanë precedentë për grabitjeLEZHE – Policia e Lezhës ka zbuluar edhe një tjetër krim, në të cilin janë implikuar personat e akuzuar për masakrimin e 23-vjeçarit britanik. Bëhet fjalë për grabitjen me dhunë të një lokali në zonën e Shëngjinit në Lezhë, ku sipas policisë është implikuar njëri prej pjesëmarrësve në masakrimin e të riut, Edward Craythorne. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Lezhës, mësohet se pak ditë më parë Arlind Vukaj, njëri prej autorëve të vrasjes, ka marrë pjesë në thyerjen dhe më pas grabitjen e një lokali në Shëngjin të Lezhës. “Arlind Vukaj, autor i vrasjes së shtetasit anglez Edward Craythorne, në bashkëpunim me shtetasit Rezart Çuçi dhe Hektor Hasani kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit Jorgo Sevo, në Shëngjin të rrethit Lezhë”, është shprehur dje zëdhënësja e policisë së qytetit të Lezhës. Sipas saj, shërbimet e policisë kanë arritur të gjejnë materialet e vjedhura në lokal dhe t’i sekuestrojnë ato në cilësinë e provave materiale për fajësinë e të akuzuarve për krimin. Policia e Lezhës konfirmoi se është duke hetuar për ngjarje të tjera të rënda, ku janë përfshirë vrasësit e shtetasit britanik. 22 ditemë parë mësohet se ka ndodhur vrasja e shtetasit britanik, i cili u shpall i zhdukur ndërsa kufoma e tij u gjet rastësisht nga banorë të Shëngjinit