U vetëdogj në Tomor, ndërron jetë në spital

Spitali Ushtarak
POLIÇAN Ndërron jetë në Spitalin Ushtarak 55-vjeçari që i vuri flakën vetes në malin e Tomorit. Flamur Guri, babai i dy fëmijëve, nuk i mbijetoi dot plagëve me gjithë ndihmën e shpejtë të policisë dhe më pas të mjekëve që u kujdesën për të. Burime nga Policia e Beratit konfirmuan faktin se Guri gjeti vdekjen si pasojë e shkallës së lartë të djegies. Në këtë mënyrë përfundoi tragjikisht jeta e babait të dy fëmijëve nga qyteti i Poliçanit. Guri ishte nisur pasditen e së enjtes drejt majës më të lartë të Tomorit, duke marrë me vete dhe një bidon me benzinë bashkë me çakmakun. Për vetëflijimin ka zgjedhur vendin e shenjtë, në Kulmak, ku spërkati trupin me lëndë djegëse. Në këto momente ai i telefonoi të shoqes, duke i treguar për aktin vetëflijues dhe duke i kërkuar të falur. Guri u transportua me helikopter në Tiranë, por nuk ka zgjatur më tepër se 20 orë lufta e tij. Rreth mesditës së djeshme, familjarët mësuan se 55-vjeçari kishte ndërruar jetë. Sipas Policisë, viktima vuante nga depresioni prej kohësh. Fillimisht ishte kuruar, por më pas kishte neglizhuar në përdorimin e barnave për gjendjen depresive, çka dyshohet se e ka shtyrë deri në marrjen e vendimit ekstrem për jetën. d.xh