Vrasja e gjyqtarit, drejtësia proteston me heshtje

Për 15 minuta, drejtësia shqiptare ka heshtur totalisht. Një mënyrë proteste dhe solidarizimi me gjyqtarin 33-vjeçar të ekzekutuar në mënyrën më tragjike në Vlorë. Në mënyrë të organizuar në mesditë, janë pezulluar gjyqet në të gjitha gjykatat e vendit, në shenjë nderimi dhe respekti për gjyqtarin Skerdilajd Konomi.
Gjyqtarët e gjykatave të Shkallës së Parë, të Apeleve si dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë zgjedhur një mënyrë, jo vetëm për të kujtuar kolegun e tyre, por edhe për të demonstruar edhe një herë se kërkojnë mbrojtje nga shteti. Kryetari i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha në një deklaratë për shtyp, shpjegon se pse është ndërrmarrë ky veprim nga togat e zeza.
Ndërsa Gjykata e Lartë, në një deklaratë për shtyp thekson se kjo protestë, ka për qëllim sensibilizimin e organeve kompetente për të punuar fuqimisht, me gjithë autoritetin që u jep ligji, për të zbardhur sa më parë këtë ngjarje kriminale dhe për t`i vënë autorët e këtij akti terrorist, përpara drejtësisë, duke marrë dënimin e merituar.