Vrasja e gjyqtarit, homazhe në Teatrin “Petro Marko”

Nis ceremonia mortore e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, në teatrin “Petro Marko”. Trupi i pajetë i gjyqtarit është vendosur në hollin e Teatrit, për ti dhënë lamtumirën e fundit.
Familjarë, miq e të afërm, zyrtarë të lartë, përfaqësues të huaj të drejtësisë pranë selive diplomatike në vendin tonë dhe kolegë pritet që të përcjellin gjyqtarin Skerdilajd Konomi për në banesën e fundit.
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, deklaroi se kjo është një cështje që duhet të zbardhet."Nëse nuk garantohet jeta e gjyqtarëve, imagjinoni si është jeta e qytetarëve. Të gjithë mekanizmat shtetërorë duhet të lëvizin".
Ndërkaq, e pranishme në homazhe, ishte dhe prokurorja Ina Rama, e cila anashkaloi mediat.
Kryetari i Bashkisë në Vlorë, Shpëtim Gjika ka ngushëlluar familjarët, ndërsa ka deklaruar se kjo është një humbje e madhe dhe për shtetin. Për të, nëpërmjet këtij akti të rëndë, është dënuar rëndë familja, qyteti i Vlorës, drejtësia shqiptare. Drejtori i Policisë së Vlorës, Ylli Metko, deklaron për median se ka nisur një punë intesive për zbardhjen e ngjarjes dhe se janë ngritur disa grupe pune për kapjen e autorëve.
Ndonëse kanë filluar hetimet intensive, fill pas ngjarjes së rëndë që tronditi jo vetëm qytetin e Vlorës, por edhe mbarë opinionin publik shqiptar, atentati mafioz kundër gjyqtarit Skerdilajd Konomi vijon të mbetet i mbuluar me mister.
Ngjarja tragjike e ndodhur vetëm një ditë më parë, ka ngritur në këmbë krerët më të lartë të shtetit, por edhe strukturat më të specializuara të policisë shqiptarë, për të hedhur dritë mbi ekzekutimin me tritol, në mënyrë të telekomanduar në automjetin e 35-vjeçarit Konomi.
Mësohet se grupi hetimor, i cili po analizon me detaje ngjarjen e së premtes, po punon në tre pista kryesore. Megjithatë, hetimet vazhdojnë, ndërsa policia ka vënë në dispozicion një shumë prej 100 mijë eurosh për identifikimin e atentatorëve të këtij krimi të rëndë.