Kolegji Zgjedhor i lë PS-së, mandatin e 9-të
Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje kërkesat e PD-së dhe PDI-së për pavlefshmëri të tabelave të 9 qendrave të votimit.
TIRANË- Mbyllet përfundimisht "telenovela" për mandatin e fundit të zonës zgjedhore të qarkut të Fierit. Kolegji Zgjedhor i mbledhur dje në ditën e tretë të shqyrtimeve të ankesave për rezultatet zgjedhore, ka vendosur që të rrëzojë kërkesat PD-së dhe PDI-së për pavlefshmëri të tabelave të 9 qendrave të votimit, të cilat u numëruan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disa ditë më parë, duke sanksionuar në mënyrë definitive 9 mandate për PS-në, 6 për PD-në dhe 1 për LSI-në.
Mbledhja
Fillimisht, Kolegji me kërkesë të vet palëve paditëse, PDI-së dhe PD-së ka pranuar që të bashkojë ankimimet, që këto forca kishin bërë për disa vendime të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për qarkun e Fierit.
Në këtë mënyrë, seanca është përqendruar në goditjen, që këto subjekte i bënin tre vendimeve të KQZ-së, dhe më konkretisht, atij që bëri të mundur përfshirjen në tabelën përmbledhëse të rezultateve të votave të dala nga nëntë kutitë e numëruara në këtë komision, vendimit tjetër për të mos shpallur dot të pavlefshme për mungesë kuorumi të tre qendrave të votimit të komunës Portëz, ku nuk u zhvilluan zgjedhje fare, dhe vendimi tjetër për të mos shpallur të pavlefshme votat e dala nga kutitë me numër 3185, 3188, 3196 dhe 3006.
Fillimisht avokatët e palëve paditëse kanë argumentuar nevojën për të shpallur të pavlefshëm votimin në tre qendrat e Portëzës, kërkesë për të cilën, ata duket se kanë gjetur mirëkuptimin edhe të palës së paditur pra të KQZ-së.
Por në këtë kërkesë, ata janë kundërshtuar nga PS-ja, përfaqësuesit e së cilës kanë vlerësuar se PD-ja dhe PDI-ja nuk kanë legjitimitet në këtë kërkesë pasi s'kanë asnjë interes direkt, ndërkohë, që, sipas tyre, në këto qendra nuk është votuar sepse banorët e kësaj komune kishin bojkotuar zgjedhjet.
Më pas, ata janë përqendruar në debat pikërisht në kërkesat, që mund të kishin një ndikim direkt në ndarjen e mandateve. Kështu avokati Ivi Kaso ka prezantuar kërkesën e PDI-së, e cila në thelb kishte pavlefshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve të dalë nga 9 qendrat e votimit, 3185, 3188, 3006, 3017, 3027, 3116, 3122, 3197 dhe 2919.
Sipas tij, në dy qendrat e para KQZ-ja ka pranuar të përfshijë në tabelën përmbledhëse, votat e dala nga një votim i paligjshëm, që është kundërshtuar nga KZAZ-ja përkatëse. Por, sipas përfaqësuesve të PS-së, votimi në këto qendra ka qenë i rregullt, ndërsa vendimi i KZAZ-së ka qenë jo në përputhje me Kodin.
Sipas avokatit, Eno Bushi, KZAZ-ja nuk mund të shpallë të pavlefshme një kuti votimi pasi e pranon ta administrojë atë, por mund të shpallë vetëm fletë votimi të pavlefshme. Ndërkohë një debat i fortë është zhvilluar edhe për QV-në 3006, për të cilën paditësit kishin bindje të fortë se 389 fletë votimi të pranuara si të rregullta nga KQZ-ja nuk ishin në përputhje me kriteret ligjore, pasi ishin ose të cunguara në masën e tyre, ose me shenja.
Por, në këtë pretendim të tyrin ata janë zënë mat nga drejtuesja e trupës gjykuese Entela Prifti, e cila pasi ka konstatuar me anë të pyetjeve të bëra avokatëve të palëve paditëse, se këto fletë votimi kishin dy vulat e kryetarit dhe sekretarit të QV-së, ka hedhur poshtë çdo dyshim mbi vërtetësinë e tyre.
Ndërkohë që përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi në parashtrimin që i bëri kërkesave të kësaj force ka mbështetur kërkesën e PDI-së për vetëm 4 qendra, ato me numrat 3185, 3188, 3006 dhe 3196. Nga ana tjetër KQZ si palë e paditur ka mbështetur kërkesën e ankimuesve për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në 3 qendrat ku nuk u zhvilluan votime dhe ka kërkuar rrëzimin e kërkesave të tjera të PD-së dhe PDI-së.
Vendimi
Ndryshe nga vendimet e dy ditëve të para, ku kolegjit i është dashur një kohë relativisht e gjatë për të marrë vendimin, dje trupës gjykuese i është dashur shumë pak kohë për të vendosur për rrëzimin e kërkesave të bëra nga PD-ja dhe PDI-ja. "Në bazë të nenit 158 të Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit vendosi të rrëzojë kërkesën e subjekteve zgjedhore PD dhe PDI", - tha gjyqtarja Etleva Prifti në shpalljen e vendimit.
Në këtë mënyrë, Kolegji Zgjedhor i jep zgjidhje përfundimtare një prej çështjeve më të tejzgjatura dhe më të debatuara të këtyre zgjedhjeve dhe që ka pasur të bëjë me pretendimet e palëve, për mandatin e 16-të në qarkun e Fierit. Kjo është vendimmarrja e dytë më e rëndësishme e këtij Kolegji pas asaj që mori një ditë më parë për Beratin. Sot ai pritet të japë zgjidhje edhe çështjes së Tiranës, për të mbyllur ditën e nesërme të gjithë fazën e ankimimeve me qarkun e Shkodrës.