E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e jashtëligjshme

Nga Express më 15 maj 2011 në ora 19:00

Princesha Diana dhe tragjedia e saj e vitit 1997 është rikthyer sërish në vëmendjen e njerëzve, këtë herë përmes një dokumentari që është transmetuar dhe në Festivalin e Kanës.

Dokumentari quhet “Një vrasje e jashtëligjshme” dhe është një film dokumentar prej 90 minutash që pjesërisht është financuar nga babai i të dashurit të së ndjerës princeshë, Muhamed Al Fajed. Regjisori i filmit është Keith Allen dhe ai vetë e ka cilësuar këtë film “një hetim mbi hetimin”. Filmi nis me një letër të shkruar nga Diana në vitin 1993 në të cilën ajo përshkruan frikën në lidhje me mundësinë që dikush ishte duke bërë plane për ta vrarë.

“Im shoq është duke bërë plane për të shkaktuar një aksident me makinën time. Ndoshta ndonjë defekt marshi, apo plagosje në kokë”, shkruhet ndër të tjera në këtë letër të së ndjerës. Filmi eksploron edhe hetimin e fundit që u ndërmor për çështjen e aksidentit në Paris në vitin 1997 dhe madje jepen edhe foto të papara më parë të marra nga paparacët që ishin në vendin e ngjarjes. Janë foto të rënda që pasqyrojnë Dianën në prag të vdekjes në tunelin parisien. Regjisori i filmit është i ndërgjegjshëm që këto foto do të tronditin mbi të gjitha djemtë e Dianës, William dhe Harri. Për momentin për shkak të fotove ky film nuk do të shfaqet në Mbretërinë e Bashkuar. Gjykatës të ndryshëm britanikë kanë këmbëngulur që atij t’i bëhen disa censurime të vogla kryesisht në lidhje me fotot, por regjisori që nuk i dëshiron ta prekë “krijesën e tij deklaroi se në vend që ta çojë filmin te kasapi më mirë preferon që për momentin ta shfaqë atë vetëm në Francë, në Kanë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara dhe më pas edhe vende të tjera. Analistë të ndryshëm thonë se nuk është e vërtetë që fotot e Dianës pas aksidentit nuk janë shfaqur në Britani dhe se kjo masë i ngjan asaj që u kërkua pas vrasjes së Kenedit në Shtetet e Bashkuara kur u ndalua shfaqja e filmimit të momenteve të tij të fundit në TV. Madje, ky film nuk u shfaq për 14 vjet rresht. Askush deri në vitin 1977 nuk kishte mundësi që ta shihte atë.

Regjisori nga ana tjetër refuzon idenë e teorive konspirative në lidhje me vdekjen e Dianës. Sipas tij, ai ishte një aksident fatkeq i shkaktuar nga një shofer i pirë dhe i papërgjegjshëm dhe veç kësaj kishte pirë edhe disa hape për t’u qetësuar, sepse kishte pasur probleme shpirtërore. Për sa i përket përfshirjes së fotos në dokumentar regjisori i filmit thotë: foton e kam futur qëllimisht për të plotësuar idenë time për filmin. Fotoja është një provë dhe kjo provë tregon se megjithëse Diana ishte përplasur në makinë ajo ishte koshiente pas aksidentit dhe jo në gjendje shumë të rëndë, apo në prag të vdekjes. Unë dua të tregoj me anë të kësaj fotoje se nuk bëhet falë për foton e një gruaje që është duke vdekur. Madje, edhe shkresat mjekësore e kanë pranuar faktin se nëse ajo do të ishte dërguar menjëherë në spital mund të kishte shpëtuar. Në vend që Diana të çohej në spital pati një sërë vonesash që zgjatën rreth treçerek ore dhe që e përkeqësuan gjendjen e saj shëndetësore derisa ajo më në fund ndërroi jetë. Ne e kemi përdorur në një sekuencë të vogël foton për të bërë ndërkohë pyetjen: Përse vallë Diana nuk u çua menjëherë në spital po u la të vdiste në rrugë? Çfarë ndodhi brenda makinës së ndihmës së shpejtë që po e çonte Dianën në spital?

Përse deklarata e mjekut të urgjencës që u mor me Dianën është shumë e ndryshme nga ngjarja e vërtetë dhe së fundi kemi shtruar pyetjen se përse nuk janë përfshirë asnjëherë në asnjë lloj hetimi njerëzit e tjerë që ndodheshin në ambulancë? Nëse hetimet e policisë do të kishin qenë gjithëpërfshirëse dhe të hapura siç ngulmojnë autoritetet, të paktën duhet që t’u ishin përgjigjur pyetjeve të mësipërme”. Regjisori thotë se filmi i tij nuk ka të bëjë dhe nuk niset aspak nga teori konspiracioni që kanë të bëjnë me një planifikim të vdekjes së Dianës para se të ndodhte aksidenti, por me një konspiracion që mund të ketë ndodhur pas përplasjes së makinës, pra që ka nisur në momentet e fundit të jetës së Dianës që ishin edhe momentet që mund tani kishin shpëtuar atë, në një ndërhyrje të shpejtë.

Sipas tij, hetimet e mëpasshme që i janë bërë kësaj çështjeje kanë pasur për qëllim “varrosjen” e së vërtetës dhe jo nxjerrjen në dritë të saj. “Unë nuk e di se sa bindës do të jem me punën time, me filmin tim, por shpresoj se do t’i rezervoni një gjykim mënyrës se si i parashtroi ngjarjet”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›