E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e kryekomisarit, arrestohen dy policë

Hetimet kanë nisur ndaj punonjësve të policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, pasi akuzohen se nuk kanë vepruar në lidhje me ngjarjen tragjike në Shijak, ku humbi jetën Kryekomisar Adem  Tahiraj. Ngjarja ndodhi më datë 13 të këtij muaji.

“Këto veprime janë kryer krahas veprimeve hetimore të kryera nga sektori i Krimit të Organizuar pranë DPQ Durrës, nën drejtimin e prokurorisë për Krime të Rënda. Të dy punonjësit e policisë që kanë qenë në vendngjarje, duke kryer detyrën së bashku  me kryekomiasr Tahirajn, megjithëse kanë patur të gjitha mundësitë, nuk kanë kryer asnjë veprim për të parandaluar vrasjen, neutralizuar vrasësin apo për ta  kapur dhe arrestuar  atë”, bën me dije Ministria e Brendshme.

Dy janë nenet e ligjit nr. 9749 për “Policinë e Shtetit” që janë shkelur nga dy punonjësit e policisë, neni 4, “Përgjegjësitë e Policisë”, në pikën 1, germa “a” thuhet: “Përgjegjësitë e policisë janë si më poshtë: “a”- të mbrojë jetën e njerëzve, sigurinë dhe pronën e tyre personale” dhe pikën 2 të këtij neni, ku thuhet: “Çdo punonjës i policisë ka për detyrë të përmbushë të gjitha përgjegjësitë e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, pavarësisht se cilës strukture i shërben”.

“Paralelisht, shkeljet e mësipërme, të kryera nga punonjësit e policisë  Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, referuar edhe pasojës tepër të rëndë të ndodhur, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe përmbajnë elementë të figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës.  Për këtë arsye, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, bëri ndalimin  e punonjësit të policisë Fatmir Hoxha për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe  ka shpallur në kërkim policor  punonjësin tjetër të policisë Kastriot Gosturani, i cili i është shmangur hetimit  të kryer nga ana e SHKB-së. Materialet i janë referuar për ndjekje penale dhe kompetence, prokurorisë së rrethit Durrës”, thuhet më tej. /Start/

                                                                                             2012-09-21 08:27
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›